TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Teksa nuk na ndajnë shumë ditë nga zgjedhjet e 14 majit, Presidenti Bajram Begaj ka dhënë një mesazh për qytetarët shqiptarë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, në konferencën e shtypit me homologun polak, Begaj u shpreh se zgjedhjet e lira nuk janë kusht nga BE, por detyrim ndaj qytetarëve. Ndërsa, i pyetur për bisedimet Shqipëri-Greqi për ndarjen e detit, presidenti u shpreh se beson që është një çështje që duhet të gjejë zgjidhje.
Zoti President Begaj, pas tre ditësh në shqipëri do të zhvillohen zgjedhjet lokale, cili është mesazhi juaj drejtuar qytetarëve por edhe partive politike, nisur nga fakti që kjo fushatë zgjedhore ka pasur retorikë të ashpër politike mes krerëve të partive politike dhe po ashtu në gjykimin tuaj, standarti i këtyre zgjedhjeve a do reflektojë në ecurinë e procesit të integrimit europian të shqipërisë?
Presidenti Bajram Begaj: Zgjedhjet janë një mundësi ku qytetarët e shprehin vullnetin e tyre nëpërmjet votës. Natyrisht që standardi i zgjedhjeve ndikon në procesin e integrimit evropian, pasi vetë zgjedhjet janë një tregues i rëndësishëm i maturisë i sistemit tonë demokratik. 14 maj është një sfidë, sfidë për ne, sfidë për institucionet shqiptare, sfidë për partitë politike dhe për vetë shoqërinë.
Zgjedhjet, e kam përmendur në një deklaratë të mëparshme, nuk janë të partive politike, zgjedhjet janë të qytetarëve. Në fakt të gjithë kandidatët, partitë politike duhet të mos i shpërfillin qytetarët, siç ndodhi me shpërfilljen që i bënë Presidentit kur bëri thirrje që retorika që të përdorej gjatë zgjedhjeve të ishte një retorikë qytetare jo denigruese, jo armiqësore, të ishte një retorikë e cila të ishte e matur, e vetpërmbajtur që të kishte përplasje idesh, premtimesh, të mos të ishte me retorikë të panevojshme. Natyrisht për mua sot, tre ditë para zgjedhjeve është me rëndësi që unë të bëj një thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje. Pjesëmarrja në zgjedhje është një e drejtë kushtetuese, por është edhe një detyrim moral dhe qytetar. Detyrim për veten tonë, detyrim për kombin.
Çdo qytetar duhet ta ushtrojë fuqishëm të drejtën e votës, fuqinë e votës, pushtetin e votës për të zgjedhur. Natyrisht që administrata zgjedhore ka rëndësi në këtë proces. Çdo institucion i përfshirë në administrimin zgjedhor, çdo faktor tjetër i rëndësishëm duhet të angazhohet që të realizojë të kemi zgjedhje transparente, të lira dhe të ndershme. Ky në fakt nuk është kusht që na e vendos Bashkimi Evropian apo Polonia, ky është një detyrim që e kemi ndaj qytetarëve shqiptarë. Është një detyrim i cili ka të bëjë me një standard zgjedhor, i cili duhet të jetë ashtu siç duhet, të jetë i përsosur, të mos jetë një standard që është pak më i mirë se zgjedhjet e mëparshme. Në këtë kuptim mendoj që nëse retorika e panevojshme e përdorur nga partitë politike vazhdon edhe pas procesit zgjedhor, ka një cënim të integritetit të këtyre zgjedhjeve, atëherë përgjegjësia do të jetë e institucioneve dhe e partive politike.
Zoti President Begaj, ju keni patur disa takime me kryeministrin Edi Rama, a është folur në këto takime për ndarjen ose për çështjen e detit, dhe a keni marrë një kërkesë formale, zyrtare nga institucionet për të dhënë autorizimin për nisjen e bisedimeve?
Presidenti Bajram Begaj: Po është e vërtetë që unë kam një kërkesë nga ana e Ministrisë për Evropën dhe Punëve të Jashtme, e cila është e shoqëruar me një relacion shpjegues. Si President i Republikës në zbatim të detyrimeve kushtetuese, këtë kërkesë e vlerësoj me seriozitetin më maksimal dhe besoj që është një çështje që duhet të gjejë zgjidhje. Zgjidhja e saj është e bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, në aktet e ligjet ndërkombëtare, në marrëveshjet ndërkombëtare, në ligjet e brendshme, por edhe në rregullat e fqinjësisë së mirë dhe të reciprocitetit.
Greqia është një partner strategjik i yni, por është edhe një partner i rëndësishëm ekonomik. Kemi komunitetin shqiptar në Greqi dhe komunitetin grek në Shqipëri që janë ura të forta lidhëse të kësaj miqësie dhe këtij bashkëpunimi.
Me Kryeministrin Rama jam takuar disa herë dhe çështjet që unë kam diskutuar kanë qënë publike. Janë diskutuar tema të lidhura me sigurinë kombëtare, janë diskutuar çështje të lidhura me shërbimin e jashtëm. Komunikimi është institucional, shumë i mirë, besoj që është pozitive mënyra se si takohemi dhe diskutojmë për çështjet në përgjithësi.