AKTUALITET, 11 Maj 2023, 11:57

Opozita bllokoi "ziftin elektoral" që po hidhte në mesnatë firma e vëllait të kandidatit të Alibeajt, reagon bashkia e Beratit (VIDEO)

Opozita bllokoi "ziftin elektoral" që po hidhte në
Përplasjet mbrëmë në Berat

Mbrëmë pati tensione mes kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Zija Ismaili, i përkrahur nga disa banorë në qytetin e Beratit, të cilët kanë bllokuar një automjet me zift për shtrimin e rrugës. Ismaili u njoftua nga banorë të lagjes në Velabisht për një investim që Bashkia e Beratit po kryen në këtë aks rrugor, ndërsa në vendngjarje mbërriti edhe deputeti demokrat Tomor Alizoti.

Ata bllokuan automjetin me zift në pronësi të firmës “Shkëlqimi 07”, duke kërkuar që të mos vijojë punimet. Firma është në pronësi të vëllait të kandidatit të PD së Alibeajt në Mallakastër, Agron Kapllanaj.

Kandidati i “BF” Ismaili ka pretenduar se investimi po kryhet ilegalisht, pa asnjë dokument apo tabelë informuese. Ai gjithashtu theksoi se asfalti elektoral po hidhet në një kohë të papërshtatshme me shi.

“Drejtorët e Bashkisë së Beratit i kontaktova dhe nuk japin asnjë lloj shpjegimi. Këmbëngulja e banorëve detyroi që të vijnë prezenca të mëdha policie dhe oficerë. Ne jemi dakord që taksat të përkthehen në investime, por të vish në një natë me errësirë, me shi, 3 ditë para zgjedhjeve dhe të hedhësh asfalt 3 centimetër, kjo është kriminale”, tha Ismaili. Në vendngjarje mbërritën edhe forca të shumta të policisë.

Sot, Bashkia e Beratit reagoi për ngjarjen e shënuar mbrëmë, duke sqaruar se rruga që po bëhej mbrëmë është vazhdimi i projektit për rehabilitimin e rrugës së njësisë Velabisht, teksa sqaron se punim po bëhet nëpërmjet marrëveshjes përkatëse së Bashkisë Berat dhe FSHZH si dhe lejes së dhënë.

"Kandidati i Sali Berishës dhe Ilir Metës i ndjekur nga grupi që e rrethon në padije të theksuar ndaj projekteve për Beratin është përpjekur mbrëmë të ndalojë punën për zhvillimin e një zone dhe vazhdimin e projektit për rehabilitimin e rrugës së njësisë Velabisht, një rrugë jetike për banorët e kësaj zone.

Ismaili dhe disa ndjekës te tij bllokuan dje me arrogancë dhe në mënyrë të paligjshme punën për shtrimin e rrugës së Velabishtit.
Kjo rrugë po ndërtohet tërësisht nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe nënkontraktuesit e tij.

Prej vitesh bashkia e Beratit i ka kërkuar mbështetjen e qeverisë për këtë rrugë të shumëpritur për banorët e Velabishtit për shkak të kushteve të vështira të saj.

Çdo punim që po bëhet në këtë rrugë, bëhet nëpërmjet marrëveshjes përkatëse së Bashkisë Berat dhe FSHZH si dhe lejes së dhënë.

Në Berat momentalisht janë 4 projekte të mbështetura nga FSHZH duke u implemetuar dhe një prej tyre është edhe rruga e Velabishtit.

Bashkia e Beratit është 24 orë në punë në çdo ditë në këto 4 vite dhe do të vazhdojë të jetë 24 orë, ditën dhe natën, për të përfituar dhe implementuar projekte të tilla për përmirësimin e infrastrukturës së Beratit, ndryshe nga ata që dalin natën për të bllokuar zhvillimin e tij.

Bashkia është dhe do të jetë çdo ditë në shërbim te qytetarëve para, gjatë dhe pas zgjedhjeve.  Ky eshte modeli qe ka ndryshuar rrënjësisht Beratin këto 4 vitet e fundit dhe një gjë është e sigurt, nuk ka më kthim mbrapa.

Banorët e njësisë Velabisht i shohin me neveri këto veprime primitive dhe e kanë të qartë se cilin prej dy modeleve do të zgjedhin në 14 maj"-deklaroi bashkia e Beratit.