AKTUALITET, 2 Maj 2023, 10:33

Zhdukja e Thodhorit dhe Sulovarit, të afërmit protestë përballë Policisë: Ne duam trupat, shteti nuk po punon

Zhdukja e Thodhorit dhe Sulovarit, të afërmit protestë

Me pankarta në duar, familjarët e dy personave të zhdukur në Sarandë Fatmir Sulovari dhe Leonard Theodhorit kanë mbajtur ditën e sotme një protestë përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Me fotot e dy të zhdukurve në duar, familjarët kërkojnë një përgjigje nga policia në lidhje me fatin e të afërmve të tyre.

'Ne duam trupat, shteti nuk po punon. U bënë 26 ditë, as komunikim nuk kemi. Është si në harresë. Këtë kërkojmë nga shteti se i ka mundësit'- tha xhaxhai i Fatmir Sulovarit.

“Ata nuk kanë pasur konflikte, ndryshe nuk do të dilnin rrugëve. Nuk e kuptojmë pse policia ka ndërprerë kërkimet”.

'Nuk e kuptojmë se përse janë shkëputur kërkimet. Shpresojmë që të na dëgjojnë'

'Do të qëndrojmë këtu 24 orë, derisa të na dëgjojnë'

Drejtori i Policisë Muhamet Rrumbullaku ka planifikuar një takim me tre prej familjarëve të personave të zhdukur ku pritet t’i informojë ata në lidhje ecurinë e hetimeve. Në lidhje me zhdukjen e dy personave është arrestuar 28-vjeçari Sofokli Baxheri, e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale të “Kryerjes së veprimeve që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”.

Kush janë dy personat e zhdukur?

1. Leonard Theodhori, 46 vjeç i njohur si “Koçole”. I dënuar disa here. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo.

I arrestuar po atë vit për “moskallezim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas për “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i përfshirë në trafik lëndësh narkotike.

2. Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 në Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMW" X5 u gjet një sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.