AKTUALITET, 16 Dhjetor 2022, 09:15

Zgjidhet sot kreu i ri i SPAK, gara mes 3 prokurorëve që përplasën kryeministrin Rama dhe ambasadoren Kim

Zgjidhet sot kreu i ri i SPAK, gara mes 3 prokurorëve që
Edvin Kondili, Adnan Xholi dhe Altin Dumani

Sot, në orën 10, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka njoftuar mbledhjen ku zgjidhet kreu i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). 11 anëtarët e KLP-së që do të votojnë për zgjedhjen e kreut të SPAK janë Alfred Balla, Tartar Bazaj, Arta Mandro, Bujar Sheshi, Eloida Goxhi, Esmeralda Cami, Ledina Riza, Mirela Bogdani, Nurihan Seiti, Sokol Stojani dhe Zeqir Hoda.

Në garë janë Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili. Dumani dhe Kondili hyjnë në këtë garë për herë të dytë, pasi tre vite më parë ishin konkurrentët kryesor të Arben Krajës, por që nuk ia dolën. Adnan Xholi, me eksperiencën e drejtuesit në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda, synon kreun e SPAK për herë të parë.

KLP-ja, në zgjedhjen e kreut të SPAK, do të vlerësojë 7 kritere që janë: eksperienca në ndjekjen dosjeve sensitive të korrupsionit dhe krimit të organizuar, eksperiencën dhe aftësitë në organizimin dhe drejtimin e një strukture, eksperiencën në hartimin e miratimin e rregulloreve administrative, eksperiencën në çështje të cilat kanë marrë vëmendje të lartë publike dhe ndërveprim me median, aftësitë në drejtimin të burimeve njerëzore, vizionin për drejtimin e SPAK si dhe imazhin që ka në publik si prokuror.

Kriteret e vendosura favorizojnë kandidatët që kanë referuar në gjykatë dosje të ‘nxehta’ korrupsioni dhe krimi, që kanë në dorë dosje të bujshme me vëmendje të lartë publike dhe që janë në fokusin e mediave. Megjithatë, në fund do të jenë anëtarët e KLP-së që do të votojnë. Sipas nenit 20 të rregullores së KLP-së, kandidati që merr më shumë vota, zgjidhet kreu i SPAK-ut. Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, KLP kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash.

Kreu u SPAK u cakton çështjet prokurorëve të posaçëm bazuar në specializimin e tyre, koordinon punën e agjencitë dhe institucionet e tjera, paraqet buxhetin për SPAK-un dhe Byronë e Hetimit në Kuvend, paraqet në KLP raportin vjetor të punës së SPAK-ut, thërret në mbledhje prokurorët e posaçëm, nxjerrë vetëm udhëzime të përgjithshme pa ndërhyrë në hetime për SPAK-un dhe Byronë e Hetimit si dhe miraton rregulloret e firmosura nga drejtori i Byrosë së Hetimit.

Kreu i ri i SPAK zgjidhet në një moment kur jo vetëm ndërkombëtarët, por edhe publiku kërkon rezultate, arrestime të zyrtarëve të lartë të implikuar në korrupsion dhe anëtarë të bandave të krimit të organizuar. Ditët e fundit pati përplasje mes kryeministrit Rama dhe ambasadores amerikane Kim për kreun e ri, të cilin qeveria do ta ketë të vetin, ashtu si dhe ambasada. Aq e ashpër u bë kjo përplasje, saqë, sipas analistëve, u duk se nuk po konkuronin tre kandidatë, por qeveria dhe ambasada.