AKTUALITET, 14 Shkurt 2022, 20:31

Zgjedhjet e 6 marsit/ KQZ cakton sasinë e fletëve të votimit që do prodhohen. Ja partitë që do të propozojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të grupeve të numërimit

Zgjedhjet e 6 marsit/ KQZ cakton sasinë e fletëve të votimit

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në seancën e sotme publike miratoi sasinë e fletëve të votimit të cilat do të prodhohen për çdo qendër votimi, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie, të datës 6 Mars 2022.

Për zgjedhjet e pjesshme që do të zhvillohen në bashkitë Shkodër, Durrës, Dibër, Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë, duke u bazuar në numrin e zgjedhësve të vënë në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, shtuar 2 përqind të tyre, sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, do të prodhohen në total 667.629 fletë votimi.

Gjithashtu, Komisioneri caktoi partitë politike që do të propozojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të Grupeve të Numërimit të Votave, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie. Partia politike e shumicës parlamentare që ka të drejtë të propozojë anëtarin e tretë të Grupeve të Numërimit të Votave është partia Socialiste e Shqipërisë. Partia e opozitës parlamentare që ka të drejtë të propozojë anëtarin e katërt të Grupeve të Numërimit të Votave është Lëvizja Socialiste për Integrim.