AKTUALITET, 10 Qershor 2023, 12:21

Zgjedhjet e 14 majit/ “Kemi shumë dokumente”, Berisha bashkëbisedim me qytetarët: Nëse nuk përmbushim detyrimin, legjitimojmë farsën elektorale

Zgjedhjet e 14 majit/ “Kemi shumë dokumente”, Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha në një komunikim me ndjekës të tij në ‘Facebook’ iu është përgjigjur pyetjeve të tyre, që nga zgjedhjet e 14 majit te zgjedhjet brenda PD-së. Ai tha se çdo demokrat duhet të japë kontributin e tij për hapjen e partisë.

“Mirëpres në PD të gjithë anëtarësinë e saj dhe zëri i tyre do të dëgjohet. Propozimet e tyre do të përfillen. Nuk ka pengesë që ne përmes procedurave statore të bëjmë zgjidhjen më të mirë. Me rëndësi është që të ekzistojë vullneti dhe përgjegjësia që ka çdo demokrat për hapjen dhe konsolidimin e PD. Jo vetëm ndaj anëtarëve të saj, por dhe ndaj mbështetësve.”, tha ish-kryeministri.

Teksa u ndal te zgjedhjet, ai tha se PD ka fakte të pakontestueshme që votat u vodhën.

“Ky proces varet nga procedura që janë jashtë kompetencave të PD. Janë në duart e institucioneve. Shqetësimi juaj është i drejtë. Por ka etapa që kalojnë përmes KQZ, KAS dhe gjykatës elektorale. Ka dokumente të shumta, që janë në arkivat e KQZ. Ato kërkojnë kohë për t’u bërë gati dhe për t’ju dhënë forcave politike. Kërkojnë vullnet që mos të fshihen. Kemi të bëjmë me një analizë shpesh herë të rëndësishme. Është një proces kompleks. Dy gjëra duhet të theksojmë, ky proces po ecën dhe po ecën me sukses. Gjatë kësaj kohe në komunikimet e mia me qytetarë dhe demokratë, konstatoj se në disa raste më sugjerohet të mos merrem me këtë proces. Konstatoj se ka demokratë që ndihen, do të thosha, jo të kënaqur nga fakti që ne flasim dhe denoncojmë vjedhje të votave dhe të farsës elektorale. Ata shprehen se kjo është praktikë që PD e ka bërë të zakonshme. Ka disa probleme në këtë qëndrim. Nëse se bëjmë këtë, ulim kokën para batërdisë së Ramës. Ne nuk kemi një qëndrim të veçantë dhe japim indirekt dritën jeshile që në zgjedhjet e ardhshme ai të thellojë edhe më shumë krizën elektorale.”, tha Berisha.