AKTUALITET, 6 Qershor 2025, 11:25

Zgjedhjet e 11 majit/ Rinumërimi për Tiranën dhe Dibrën, KQZ: Na duhen 10 ditë për t’u bërë gati! Po përgatisim infrastrukturën dhe njerëzit

Zgjedhjet e 11 majit/ Rinumërimi për Tiranën dhe Dibrën,

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po përgatitet për rinumërimin në qarkun e Tiranës dhe hapjen e 44 kutive në Dibër.

Burime pranë KQZ-së bëjnë me dije se për realizimin e këtij procesi janë të nevojshme të paktën 10 ditë përgatitje, për të ngritur infrastrukturën e duhur të numërimit dhe për të angazhuar personat që do të merret me rinumërimin e votave, informon gazetarja Esiona Konomi e Report TV.  

Sipas të njëjtave burime, vendi i mundshëm ku do të kryhet rinumërimi është Parku Olimpik i Tiranës, aty ku edhe u numërua vota e diasporës.

Vendimi për rinumërimin e kutive në qarkun e Tiranës u mor me vendim të dy anëtarëve të opozitës, Ledio Braho e Elvis Çela në KAS. Për Qarkun e Tiranës do të hapen 1,282 kuti votimi, ndërsa do të rinumërohen rreth 450 mijë vota, si për subjektet politike ashtu edhe për kandidatët.

Për qarkun e Dibrës do të numërohen rreth 44 kutive votim, vetëm për kandidatët, pas pretendimeve të kandidatit Xhemal Gjunkshi se i janë vjedhur votat preferenciale.

PD kërkoi specifikisht edhe rivlerësimin e 16 788 votave të pavlefshme. Mes tyre, PD shpreson të gjejë 1300 vota në favor të saj, që të marrë mandatin e 14, duke ja hequr partisë Mundësia, që në Tiranë ka 2 mandate.

Përveç betejës mes Berishës dhe Agron Shehajt, që do të përballen edhe një herë për votën e partive, do të rinumërohen edhe votat e kandidatëve për të gjitha partitë. Hapja e kutive u jep një shans verifikimi të gjithë atyre që patën një rezultat të ngushtë, nga të gjitha krahët, në garën e brendshme.

Kështu, Ilir Alimehmeti shpreson të përmbysë rezultatin dhe të mundë Jorida Tabakun, e cila aktualisht është fituese, me mbi 2400 vota diferencë.