AKTUALITET, 6 Qershor 2025, 09:06

Kurban Bajrami, mijëra besimtarë falin namazin në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë! Spahiu: Paqe, begati e mirësi

Kurban Bajrami, mijëra besimtarë falin namazin në bulevardin

Sot besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin. Mijëra besimtarë u mblodhën mëngjesin e së premtes në sheshet dhe xhamitë e vendit për të falur namazin. Në Tiranë, mijëra besimtarë u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe ceremonia nisi në orën  06:15.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu mbajti një fjalim, i cili teksa uroi festën, theksoi edhe rëndësinë e unitetit, dashurisë për njëri-tjetrin dhe ndihmës për ata që janë në nevojë. Ai u shpreh se sot është një festë e dyfishtë, pasi Kurban Bajrami përkon me një ditë të rëndësishme si ajo e xhumasë.

“Si rrallëherë, sot bashkohet dita më e bukur e javës, e xhumasë, me ditën më të bukur të vitit, atë të Kurban Bajramit, një gëzim i dyfishtë.”, u shpreh Spahiu duke uruar paqe, begati e mirësi.

Kjo ditë, tha Spahiu, duhet të shihet si një dritë shprese në një kohë kur po përballemi me sfida ekonomike, sociale dhe shpirtërore. “Le të mos e shohim si ditë pushimi dhe konsumi por si ditë adhurimi, ashtu siç është vërtetë, si mundësi për të rindërtuar lidhjet tona me zotin dhe njëri-tjetrin. “, tha Spahiu.

Edhe në qytete të tjera, besimtarët u mblodhën për të falur namazin. Në Lushnje, qindra besimtarë u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit. Falja u drejtua nga Myftiu Gramos Blliku, i cili bëri thirrje për paqe e begati.

Në Fier, besimtarët falën namazin në sheshin qendror ndërsa ceremonisë i parapriu me fjalën e tij myftiu i Fierit Mikel Hazizolli. Ai përcolli mesazhin për më shumë paqe dhe respekt ndaj njëri- tjetrit. Në Vlorë, këtë herë namazi u mbajt në ambientet e Pallatit të Sportit Vlorë, për shkak se xhamia e Vlorës është e mbyllur që pas përmbytjeve. Myftiu Ardit Hoxhllaku përcolli një mesazh paqeje kudo në botë.

Në Sarandë, gjithashtu besimtarët u mblodhën në xhaminë e qytetit ndërsa në Elbasan ceremonia u mbajt në shesh. Myslimanët e Shkodrës e mbajtën namazin pranë xhaminë Ebu Bekër. Zv. Myftiu i Shkodrës, gjatë fjalës së tij, trajtoi edhe fenomenin e largimit të njerëzve, ndërsa bëri thirrje që të mos e braktisin vendin.