AKTUALITET, 4 Prill 2022, 14:30

Zbardhen vendimet e kongresit të Partisë Socialiste/ Ndërpritet mandati i kryetarëve të degevë! Ja kur do të zgjidhen drejtuesit e rinj

Zbardhen vendimet e kongresit të Partisë Socialiste/ Ndërpritet

Janë zbardhur ndryshimet në statutin e Partisë Socialiste. PS ka vendosur që të ndërpresë mandatin 4-vjeçar të kryetarëve aktualë të degëve të partive.

Kongresi i Partisë Socialiste do të mbahet në datën 9 prill.

Vendimi i plotë:

PARTIA SOCIALISTE E SHQIPËRISË

KONGRESI I PARTISË SOCIALISTE

Projekt

V E N D I M

Nr_____, datë 09.04.2022

Mbështetur në nenin 32 të Statutit të Partisë;

Për të përmirësuar dhe për të bërë më efektiv drejtimin e strukturave të partisë në nivel vendor;

Për t’i hapur rrugë implementimit të ndryshimeve në organizimin e strukturës së drejtimit në nivel bashkie, sipas kërkesave të parashikuara në nenet 26 dhe 27 të Statutit që miratoi ky Kongres;

Për të përmbyllur gjithë procesin zgjedhor në strukturat vendore të partisë dhe për të përsosur veprimin organizativ, politik dhe elektoral të tyre;

Me propozim të Kryesisë së Partisë dhe të Asamblesë Kombëtare,

Kongresi i Partisë;

V E N D O S I:

1. Të ndërpresë mandatin 4 vjeçar të kryetarëve aktualë të partisë të bashkive;

2. Zgjedhja e drejtuesve të rinj të partisë në bashki të bëhet në përputhje me kërkesat e neneve 26 dhe 27 të Statutit dhe të Librit të Rregullave të Partisë;

1. Brenda datës 30.04.2022, Asambleja Kombëtare e Partisë të miratojë rregullat, procedurat, kriteret për organizimin e procesit të zgjedhjes për strukturat vendore të partisë si pjesë e Librit të Rregullave me ndryshimet e reja në Statut;

2. Procesi i zgjedhjes së strukturave drejtuese të partisë në çdo bashki do të zhvillohet në periudhën 1 Maj – 15 Qershor 2022;

3. Kryetarët aktualë të partisë së bashkive do ushtrojnë detyrat e tyre deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj;

4.Ngarkohet Kryesia e Partisë dhe Sekretariati ekzekutiv për zbatimin e këtij vendimi.

KONGRESI I PARTISË