AKTUALITET, 10 Gusht 2023, 16:45

Vrau partnerin shqiptar të ish-gruas, burgim të përjetshëm gjermanit

Vrau partnerin shqiptar të ish-gruas, burgim të përjetshëm

Gjykata gjermane ka dënuar me burgim të përjetshëm 30-vjeçarin që qëlloi për vdekje me armë zjarri të dashurin shqiptar të ish-partneres. Ngjarja e rëndë ndodhi në janar të këtij viti, në rrugën përballë banesës së gruas në Freiburg. Autori priti në heshtje teksa gjykata shqiptoi vendimin për burgimin e përjetshëm. Avokatët e tij bënë me dije se do ta apelojnë vendimin.

30-vjeçari kishte një vajzë me gruan, e cila ishte ndarë prej tij dhe kishte nisur një lidhje të re me shqiptarin nga Kosova. Në momentin kur ndodhi krimi autori kishte shkuar të takonte vajzën e tij, kujdestarinë e të cilës e kishte e ëma. Partnerja dhe vetë vajza nuk dëshironin të kishin asnjë kontakt me 30-vjeçarin pas ndarjes, pavarësisht se ai e ka kërkuar një gjë të tillë vazhdimisht. Viktima tentoi ta largonte autorin kur ai u shfaq përpara banesës së gruas.

Por në një moment 30-vjeçari gjerman, nxori një armë pistoletë që mbante me vete dhe hapi zjarr ndaj shqiptarit. I riu nga Kosova ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra në Spitalin Universitar të Freiburgut. I akuzuari në dëshminë e tij tha se donte ta qëllonte vetëm në këmbë për ta frikësuar. Ai shtoi se e mbajti armën më lart nga frika se mos godiste vajzën e tij. Viktima dhe gruaja kanë së bashku një djalë, i cili ditën e krimit kishte ditëlindjen dhe mbushi një vjeç.