AKTUALITET, 10 Gusht 2023, 14:40

Inceneratorët dhe kulla pas TKOB, Basha: Lufta pa kompromis kundër korrupsionit, emergjencë kombëtare. Pro vettingut në politikë!

Inceneratorët dhe kulla pas TKOB, Basha: Lufta pa kompromis kundër

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu është bashkuar reagimeve për aferën e inceneratorëve si dhe për ndërtimin e kullës në qendër të Tiranës. Në një reagim në rrjetet sociale, Basha thekson se këto dy çështje janë dy faqe të së njëjtës monedhë. Mes të tjerash ai shtoi se

PD ka bërë një betejë të gjatë për zbardhjen e kësaj afere.

REAGIMI I BASHËS
Afera korruptive e Inceneratorëve, për zbardhjen e të cilës Partia Demokratike ka bërë një betejë të gjatë publike, tashmë e faktuar si e drejtë nga arrestimet dhe sekuestrimet e SPAK, dhe pastrimi i parave përmes ndërtimit të kullave me bilance të padeklaruara dhe të falsifikuara, siç është rasti i fundit në zemër të Tiranës i kallëzuar në SPAK nga grupi i këshilltarëve bashkiakë të PD, janë dy faqe të së njëjtës monedhë.

Me aferën e inceneratorëve janë grabitur miliona euro nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Këto para të korrupsionit qeveritar në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe krimin ekonomik më pas pastrohen nëpërmjet skemave të ndërtimit të kullave luksoze në mes të Tiranës.

Korrupsioni i’u vjedh qytetarëve të ardhmen, varfëron familjet shqiptare, vret konkurrencën e ndershme, pengon rritjen ekonomike, cënon demokracinë dhe besimin tek institucionet. Raportet ndërkombëtare evidentojnë qartë se korrupsioni në qeverinë Rama ka arritur nivelin e kapjes së shtetit, ku qeveritarët dhe klientela politike e përdorin shtetin për interesat e tyre private në dëm të qytetarëve.

Lufta pa kompromis kundër korrupsionit është emergjencë kombëtare, prandaj Partia Demokratike është e vendosur në mbështetjen tonë ndaj SPAK dhe e përkushtuar për miratimin dhe zbatimin e vetting-ut të politikanëve, sepse vetëm një politikë e pastër mund të sigurojë një ekonomi të fortë me mirëqenie dhe siguri për familjet shqiptare.