AKTUALITET, 27 Tetor 2022, 17:33

Von der Leyen zbulon çështjet që pritet të diskutohen në Samitin e BE-së në Tiranë

Von der Leyen zbulon çështjet që pritet të diskutohen

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen mbajti këtë të enjte një vizitë zyrtare në Shqipëri. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, u njoftua dhe mbajtja e Samitit mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor më 6 dhjetor në Tiranë.

Von der Leyen bëri me dije se temat që pritet të diskutohen në këtë samit kanë të bëjnë me mbështetjen ndaj Ukrainës, krizën energjitike, por dhe infrastrukturën.

“Pritshmëritë tona janë që ne do të diskutojmë situatën gjeopolitike. Në qendër të diskutimeve do të jetë lufta e tmerrshme që Rusia po bën në Ukrainë dhe se si mund mbështesim më tej Ukrainën, pasi ne do të jemi në krah të Ukrainës për aq kohë sa të duhet. Dhe në qendër të diskutimeve do të jetë dhe energjia, por do të ketë dhe tema të tjera, si infrastruktura”, tha Von der Leyen.

Nga ana tjetër kryeministri Rama tha se në këtë samit pritet të diskutohet çfarë është bërë në raportet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, por dhe çfarë duhet bërë deri në samitin e radhës.

“Pritshmëria është që të vijnë një herë në Tiranë të gjithë udhëheqësat e Evropës, pasi këta të Ballkanit kanë ardhur shpesh dhe duke qenë një samit i fokusuar në Ballkanin Perëndimor, të diskutohet për këto tema, të shikojmë se çfarë është bërë dhe çfarë mund të bëhet bashkarisht deri në samitin e radhës. Tani më është krijuar një sinergji shumë pozitive mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Pavarësisht se ne nuk jemi BE, atë 'E'-në na e kanë kuptuar mirë dhe e konsiderojnë me një vlerë të barbartë, pra evropian këta, evropian ne, këta kanë dhe një 'B' përpara por të gjithë jemi evropian dhe fatet në gjërat e mëdha i kemi të përbashkëta”, tha Rama.