AKTUALITET, 19 Korrik 2022, 13:40

Vjosa, vlerësim basenit para shpalljes Park Kombëtar, plan menaxhimi për Ulzën

Vjosa, vlerësim basenit para shpalljes Park Kombëtar, plan menaxhimi

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka vendosur të gjejë konsulent për dy punë që lidhen me parqet natyrore në vend. Sipas procedurave të çelura në Agjencinë e Prokurimit Publik objekti i kontratës së parë është “Hartimi i Planit të Menaxhimit dhe Projektit të Zbatimit për Parkun Natyror “Liqeni i Ulzës dhe Zona përreth tij” me fond limit 18 milionë lekë. Ndërkohë e dyta “Vlerësimi i basenit ujëmbledhës dhe ekosistemit lumor të Lumit Vjosa me qëllim shpalljen “Park Kombëtar Lugina e Vjosës” dhe hartimin e projekt-planit të nënzonimit të territorit të Zones së Mbrojtur” me fond limit 14 milionë lekë. Por cilat janë në fakt detyrat që do të ketë konsulenti për këto dy kontrata.

Vlerësimi për Vjosën

Ministria ka sqaruar se konsulenti nëpërmjet këtij projekti,  do të asistojë këtë insitucion dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave te Mbrojtura për të kryer procesin e nënzonimit në Vjosë sipas sipërfaqes së përcaktuar. Për këtë do të duhet të zhvillohen studime të biodiversitetit dhe vlerësimi i vlerave dhe i kërcënimeve në zone, të kryhet studimi socio-ekonomik dhe të bëhen propozime për projekt-planin e nënzonimit të territorit të zonës së mbrojtur. Puna parashikohet që të shtrihet në një pertiudhë kohore 24 javë.

“Objektivi i kësaj detyre është vlerësimi i basenit ujëmbledhës dhe ekosistemit lumor të lumit Vjosa me qëllim shpalljen “Park Kombëtar Lugina e Vjosës” dhe hartimin e Projekt-planit te nënzonimit të territorit të zones së mbrojtur.

Procesi i zonimit të një sipërfaqeje të ZMM-së është kompleks, delikat dhe kërkon mirëcaktimin e veprimeve, mbështetje shkencore, teknike, materiale dhe integrimin e përvojave më të mira në kushte konkrete të zhvillimeve social- ekonomike, planit të përgjithshëm të planifikimit të territorit, politikave, programeve për ruajtjen e natyrës e të përparësive përkatëse rajonale” thuhet në dokumentin e Ministrisë.

Vjosa u bë “mollë sherri” mes ambientalistëve dhe qeverisë për shkak të planeve për ndërtimin e HEC-ve në këtë lumë, diçka për të cilën qeveria duket se ka ndryhsuar qëndrim edhe me disa vendimarrje të mëparshme.

Plani i menaxhimit për Ulzën

Ministria e Turzimit dhe Mjedisit paralelisht po kërkon një konsulent që do të hartojë planin e menahximit për Parkun Natyror të Ulzës.

“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur punën për koordinimin e procesit për hartimin e planit të menaxhimit dhe projektit të zbatimit për Parkun Natyror “Liqeni i Ulzës dhe zona përreth tij”.Nëpërmjet këtij projekti synohet të realizohet ruajtja në gjendjen natyrore të peizazhit, sistemet ekologjike dhe karakteristikat natyrore të zonës. Pritet që plani dhe projekti i  zbatimit të shpien drejt zhvillimit të qëndrueshëm të territorit ku bënë pjesë zona në studim, të kontrollit të zhvillimit, rritjes së mirëqënies së popullsisë vendase, punësimit, jetësës më të mirë dhe mbrojtjes së aseteve natyrore e mjedisit” thuhet në dokumente. Referuar statistikave që serviren në këto dokumente nënvizohet se Parku Natyror “Liqeni Ulzës” është një park tepër i vizitueshëm në periudhën e verës. Ndërkohë që sipas burimeve nga Bashkia e Matit, vizitorët të shumta shfaqen dhe në dimër për shkak të promovimit. Ky park ka një sipërfaqe prej 4.205.15 ha, ku pjesën kryesore e zënë sipërfaqet me pyje dhe përfshin dy liqenet, të cilat janë zona të rëndësishme për konservimin e biodiversitetit, por gjithashtu edhe potencialin e madh për zhvillimin e ekoturizmit.