AKTUALITET, 2 Mars 2024, 09:32

VIDEO/ Shpërthimi në Lushnjë, çfarë ka mbetur një ditë pas tragjedisë me dy viktima

VIDEO/ Shpërthimi në Lushnjë, çfarë ka mbetur

Një ditë pas shpërthimit tragjik në Lushnjë, vend i ngjarjes është ende i rrethuar, teksa të pranishëm janë edhe forca të shumta policie.

Po ashtu aty kanë mbërritur prokuror nga Prokuroria e fierit, Agjencia Antieksplozim, përfaqësues nga OST dhe Inspektorati i punës.

Siç duket edhe në video, nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të shumta edhe në ndërtesat aty pranë. Ndërkohë, bombola e paplasur e gazit ende nuk është hequr nga vendi i ngjarjes.

Si pasojë e shpërthimit humbën jetën dy persona, Roland Hoxha dhe djali i tij Elidon Hoxha.

Roland Hoxha 55-vjeç alias Landi Verçani (ka ndërruar identitetin për shkak të dokumentacionit), humbi jetën në vendngjarje, ndërsa djali i tij Elidoni ka ndërruar jetë ndërsa po transportohej drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Ndërkohë që i plagosur ka mbetur edhe deputeti Bujar Çela, i cili i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, por sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën. Në gjendje të mirë janë edhe katër të plagosurit e tjerë që ndodhen në spitalin e Lushnjës.