AKTUALITET, 30 Shtator 2024, 13:42

VIDEO/ Kreu i ri i Policisë së,Shtetit, ministri Hoxha: Sot, do t'i dërgojmë kryeministrit Edi Rama emrin e kandidatit!

VIDEO/ Kreu i ri i Policisë së,Shtetit, ministri Hoxha: Sot, do

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha ka njoftuar këtë të hënë se do t'i dërgojë kryeministrit emrin e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit. Gara është mbyllur zyrtarisht të premten dhe Komisioni i Posaçëm ka bërë renditjen e kandidatëve potencial.

"Sot Ministria e Brendshme do të publikojë renditjen dhe unë do t'i përcjell kryeministrit, Këshillit të Ministrave kandidaturën për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit", tha ministri Hoxha.

Me propozim të ministrit të Brendshëm, kryeministri përzgjedh emrin e kryepolicit të ri të Shqipërisë, i cili këtë herë ndryshe nga sa ka ndodhur përgjatë viteve të fundit, vjen nga një proces gare ku janë përfshirë disa kandidatura.

Mësohet se Neritan Nallbati, Skënder Hitaj dhe Altin Mena, janë tre kandidatët të cilët kanë arritur të sigurojnë pikët maksimale, nga 100 pika që ka gara.

Ish-drejtues e drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, iu përgjigjën thirrjes për postin e Drejtorit të Përgjithshëm, pas largimit nga detyra të Muhamet Rrumbullakut. Afati i aplikimeve ka përfunduar dhe interes kanë shprehur 15 persona.

Kjo është hera e parë që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit zgjidhet përmes konkurrimit, pas ndryshimeve që u bënë në muajin Korrik në ligjin për policinë. Veç aftësive profesionale, një rëndësi të madhe në këtë garë kishte dhe integriteti moral, si dhe aftësitë organizative dhe drejtuese.

- Neritan Nallbati: Mban detyrën e Drejtorit të Departamentit për Policinë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit,nga data 01.08.2022.

- Skënder Hita: Aktualisht mban postin e kreut të Policisë së Durrësit.

- Altin Mena: Aktualisht nëndrejtor i Policisë së Lezhës, ish-nëndrejtor për Hetimin e Krimit Rendin dhe Sigurinë në Lezhë më 2023, ish-shef i Policisë Rrugore Lezhë më 2018, shef i Komisariatit Berat më 2022.