AKTUALITET, 29 Gusht 2025, 10:16

VIDEO/ Huliganët polakë përdhosën bustin e Skënderbeut në Tiranë, përleshen me tifozët e Dinamos pas ndeshjes së CL! Flakadanë autobusëve rrugës për në aeroport

VIDEO/ Huliganët polakë përdhosën bustin e Skënderbeut

Kryeqyteti shqiptar ka parë një mbrëmje jo të qetë në orët e vona të së enjtes, fill pas ndeshjes Dinamo 1-1 Jagiellonia, e vlefshme për play-off e Conference League.

Tifozët polakë, në një numër të konsiderueshëm në udhëtimin në Tiranë, kanë nisur provokimet që pasditen e djeshme, me të mbërritur në kryeqytetin tonë. Në pamjet e shpërndara në rrjet, ata shihen të bëjnë gjeste të pahijshme në bustin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në qendër të Tiranës.

Pas ndeshjes në 'Air Albania', një grup me tifozë të Dinamos dhe jo vetën, duket se është 'hakmarrë'. Në video duket qartë se shqiptarët janë përleshur me njërin prej polakëve që bënte gjeste të pahijshme.

Një numër i madh i forcave të policisë ka ndërhyrë, duke qetësuar situatën. Paçka se tifozët nga Polonia u nisën me autobusa në stadium fill pas ndeshjes dhe u shoqëruan nga policia, incidentet nuk munguan as rrugës për në aeroportin 'Nënë Tereza' në Rinas.

Shqiptarët ishin në rrugë dhe sulmuan me flakadanë autobusët që mbanin tifozët e Jagiellonias. Gjithçka lidhet me thirrjet e tyre 'vritini shqiptarët', apo edhe me banerin që shpeshherë shpalosin në stadium 'Kosova është Serbi'.

Kulmi ishte përdhosja e heroit tonë kombëtar në zemër të Tiranës, me incidentet që nuk munguan në orët e vona të së enjtes. Sa për kronikë, Dinamo u eliminua nga Conference League.

Një nga incidentet e para është regjistruar pranë stadiumit, ku një tifoz polak është konfrontuar fizikisht nga disa persona. Sipas informacioneve paraprake, i njëjti tifoz dyshohet se gjatë orëve të pasdites ishte filmuar duke kryer një akt provokues ndaj bustit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në sheshin “Skënderbej” – një veprim që shkaktoi indinjatë të gjerë në publik dhe reagime të ashpra në rrjetet sociale, ndërsa në ndeshjen e parë të luajtur në Poloni, ata provokuan me banderolat “Kosova është Serbi”.

Por tensioni nuk u ndal vetëm aty. Në orët pas ndeshjes, një tjetër incident ka ndodhur pranë aeroportit të Rinasit, ku autobusi me tifozë të Jagiellonias është sulmuar nga një grup tifozësh shqiptarë. Në video të publikuara online dëgjohen thirrje dhe shihet qartë momenti kur autobusi goditet, ndërsa atmosfera bëhet gjithnjë e më e tensionuar.

Në vendngjarje ndërhynë menjëherë forcat e policisë, të cilat kanë shtuar praninë në zonat strategjike për të garantuar rendin dhe për të shmangur përshkallëzimin e dhunës.

Gazetarja Dorjana Bezat mëson se policia po kryhen veprime të mëtejshme hetimore për të identifikuar dhe verifikuar personat e përfshirë në incidentet e mbrëmjes. Deri tani, disa persona janë shoqëruar në komisariat për marrje në pyetje, por nuk raportohet për ndonjë të arrestuar.

VIDEO/ Huliganët polakë përdhosën bustin e Skënderbeut