NË FOKUS, 26 Dhjetor 2022, 22:14

"Kokaina do ta hedhë votën më lart se uji i shatërvanëve"/ Nga bananet, te kokaina e Fierit, gazetarët japin detaje për trafikun e kokainës në 2022

"Kokaina do ta hedhë votën më lart se uji i

Në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, është diskutuar për ngjarjet më të rënda kriminale të vitit, përfshirë edhe trafikun e kokainës, fenomen tashmë mjaft i përhapur në Shqipëri. 

Artan Hoxha deklaroi se trafiku i kokainës vijoi me ritme të larta dhe se paratë që vijnë nga ky trafik pritet të përdoren në fushatën zgjedhore vitin e ardhshëm. 

Gazetarët folën gjithashtu për kokainën në kontejnerët e BanaKing dhe shpalljen në kërkim të Trifon Muratajt, pronar i Zico sha, kompania që zotëron këtë brand. 

Artan Hoxha: Trungu kryesor që mban botën e krimit është trafiku i narkotikëve dhe te narkotrafiku është kokaina. Kokaina vazhdoi të rritet gjatë këtij viti. Tregoi se për fat të keq shteti ynë nuk e ka mundësinë të përballet. Fiton ndonjë betejë e vogël lart e poshtë.
Bananet janë produkti që nuk kanë bord. Për çdo kontejner të ardhur nga Amerika Latine u rrit minimalisht me 3 mijë dollarë kosto, por banania vazhdon uljen. Pronarët e kompanive të mëdha të bananeve ose janë në burg ose janë në kërkim.
Kokaina gjatë këtij viti u fuqizua. Paratë e ardhura nga kokaina janë një nga burimet kryesore për fat të keq, të ekonomisë shqiptare. Me atë që pashë në Amerikë Latine dhe në Dubai, edhe projektet e mëdha që ka qeveria në vijim, janë projekte që synojnë të integrojnë këtë para që vjen nga kokaina. Këto para që vijnë nga kokaina, janë aq shumë, sa edhe në Dubai ia kanë parë hajrin.
Kokaina, nga 1-10, nëse vlerësohej 7 vitin e kaluar, sivjet ka shkuar te nota 9.Do ta shohim se çfarë do të bëjë kokaina në fushatën elektorale. Do ta hedhin votën më lart se uji i shatërvaneve të ndërtuar nga Ramiz Alia…

Ylli Rakipi: Këtu arrestohen dhe ndalohen njerëzit që u kapet fare pak lëndë narkotike. Policia deklaroi se është shpallur në kërkim Trifon Murataj, pronar i Banaking. Cfarë ndodhi?

Klodiana Lala: Nuk është arrestuar zoti Murataj. Besoj është në kërkim aktualisht.

Ylli Rakipi: Ku është ai?

Artan Hoxha: Në Amerikë është, atje ka zyrat.

Ylli Rakipi: Po me Amerikën nuk kemi raporte?

Enton Abilekaj: Nuk është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Artan Hoxha: Është në kërkim policor.

Ylli Rakipi: Që ta kuptojë edhe populli, se edhe unë nuk di mirë këto…

Artan Hoxha: Populli të vazhdojë ta hajë banane se janë të mira…

Klodiana Lala: Policia ndërhyn në Portin e Durrësit dhe nuk e lë ngarkesën të shkojë në destinacion. Policia e Shtetit ndërhyn dhe arreston vetëm disa shoferë, disa punonjës të doganës, disa punonjës të shoqërive aty dhe disa njerëz të thjeshtë. Për të mos hapur petët e lakrorit dhe për të mos vajtur në majë, policia e ndërpret aty zinxhirin.
Kap tre njerëzit e parë që gjen aty, krijon grupin e strukturuar kriminal dhe mbaron historia. Ky është shqetësimi më i madh që duhet të ngremë.

Ylli Rakipi: Në fakt, këto çështje ua transferojnë prokurorive poshtë farë. Përse nuk merret SPAK-u me këto? A është SPAK-u prokurori e posaçme që duhet të merret me një problem shumë të rëndësishëm që ka vendi?

Klodiana Lala: Duke qenë se zinxhiri i trafikut ndërpritet në një vend të caktuar, këta e konsiderojnë si histori të thjeshtë trafiku dhe jo grup të strukturuar kriminal. Nëse ju kujtohet rasti i Arbi Garden, Arber Cekaj, që reagoi edhe ambasada amerikane...

Enton Abilekaj: DEA ndërhyn kur preket shteti amerikan dhe sasia e drogës prek SHBA-të. I njeh të drejtën vetes dhe bën marrëveshje dy palëshe, në momentin që preket shteti amerikan. Hapja e zyrës në Shqipëri është një ngjarje shumë e rëndësishme. Ata kanë patur një zyrë që mbulon Europën, por hapja e zyrës në Shqipëri, tregon se niveli këtu është aq i rrezikshëm, sa nuk dihet a përfshihen SHBA-të në këtë trafik apo jo. Mos harroni që Trifon Murataj jeton në SHBA.