AKTUALITET, 17 Maj 2024, 18:46

Vetëm se ishte shqiptar! 17-vjeçari rrëmbehet dhe dhunohet për tre orë se dashuronte vajzën greke! Në pranga vëllai dhe babai i saj

Vetëm se ishte shqiptar! 17-vjeçari rrëmbehet dhe dhunohet

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Spartë të Greqisë ku një 17-vjeçar shqiptar u mor peng dhe u dhunua nga të afërmit e të dashurës së tij. Mediat greke shkruajnë se shkak është bërë origjina e 17-vjeçarit shqiptar dhe ky i fundit ka marrë telefonatë nga vëllai i të dashurës së tij dhe ka shkuar për ta takuar. Në atë moment është sulmuar ashpër nga dy persona të cilët më pas e kanë kapur para të ëmës dhe e kanë futur në bagazhin e një makine.

Sipas asaj çfarë deklaroi i ati i adoleshentit shqiptar, në një moment të rrugës personat që morën peng djalin e tij ndaluan, e zbritën nga bagazhi dhe më pas e futën në makinë për ta çuar në shtëpinë e vëllait të vajzës me të cilën ishte lidhur. Aty më pas dyshohet se të gjithë familjarët e vajzës janë përfshirë në torturat ndaj tij. Si pasojë e goditjeve të ashpra, adoleshenti ka humbur dëgjimin në veshin e majtë. Tortura ndaj tij zgjati për tre orë dhe më pas 17-vjeçari u la i braktisur në një vend. Personat që e dhunuan, lajmëruan të ëmën e 17-vjeçarit që të shkonte ta merrte.

I mituri është dërguar në spital ku prej disa ditësh po merr ndihmë mjekësore ndërsa ndodhet në gjendje të keqe psikologjike. Babai i vajzës i cili kishte vrarë nënën e tij në Dyros, është arrestuar së bashku me djalin e tij dhe një person tjetër nën akuzën e rrëmbimit dhe torturimit të 17-vjeçarit. Ndërsa nëna e vajzës është në kërkim, nën akuzë për rrahjen e adoleshentit shqiptar.