AKTUALITET, 19 Qershor 2025, 12:00

Verifikimi i '11 majit'/ Rinumërimi për Tiranën, hapen 94 qendra votimi! PS humb 46 vota, PD 21 vota! Mundësia merr 2 vota më shumë

Verifikimi i '11 majit'/ Rinumërimi për Tiranën, hapen

Në pallatin e Sportit “Fahrie Hoti” vijon sot dita e dytë e rinumërimit për qarkun e Tiranës. Deri në orën 11:30 janë hapur 94 kuti votimi nga 1282 në total që ka qarku i Tiranës. Nga hapja e kutive rezultojnë vetëm gabime të vogla, që nuk sjellin asnjë ndryshim për mandatet, por as në renditjen e kandidatëve në listë të hapur.

Nga rinumërimi i 94 kutive, del se PS kishte përfituar 46 vota më shumë, PD-ASHM kishte përfituar nga numërimi i parë, 21 vota më shumë, PSD 7 vota më shumë dhe Lëvizja Bashkë 1 votë më shumë.  Ato janë që llogariten si vota të pavlefshme, ose janë vota që janë marrë në kurriz të partive të tjera.

Partia Mundësia që po ‘lufton’ për të ruajtur mandatin e dytë, nga rinumërimi deri më tani ka përfituar 3 vota më shumë, që i ishin hequr në numërimin e parë. Ndërkohë, 5 vota më shumë përfiton edhe partia e Lulzim Bashës dhe nga 1 votë më shumë e marrin koalicioni i Enkelejd Alibeajt dhe Lëvizja Atdheu.

A mund të ndryshojë diçka?

Në qarkun Tiranë, i vetmi mandat që mund të vihet në dyshim, është deputeti i dytë i partisë “Mundësia”, i cili nëse e humbet i kalon PD-së, dhe bëhet me 14 deputetë. Që kjo të ndodhë, duhet që nga rinumërimi i votave, të dalin 1200 vota në favor të PD-së ose 117 vota më pak për partinë e Agron Shehajt. Nëse këto vota 'gjenden', në parlament nuk hyn Erald Kapri, por Ilir Alimehmeti. Që Mundësia ta ruaje mandatin në kurriz të PS, kjo e fundit duhet të humbasë rreth 4500 vota.

Sa i takon betejës së brendshme të partive, të dy kampet kanë trafikuar vota brenda familjes. Ilir Alimehmeti ishte ai që kërkoi t'i hapen kutitë, por rezultoi se i kanë marrë deri më tani 4 vota. Edhe rivales së tij Jorida Tabaku po ashtu i janë hequr nga llogaria 11 vota, duke mos e zbutur diferencën prej 2400 votash që kanë mes tyre.