AKTUALITET, 9 Mars 2023, 15:06

Vendimi për lëvizjen e lirë pa viza për Kosovën/ Begaj: Hap i rëndësishëm, shpresoj që procesi të përmbyllet sa më shpejt

Vendimi për lëvizjen e lirë pa viza për Kosovën/ Begaj:

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas vendimit të marrë nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me lëvizjen e lirë, pa viza për qytetarët e Kosovës në zonën Shengen.

Nëpërtmjet një postimi në Facebook, Begaj ka përshëndetur hapin e ndërmarrë, teksa ka shtuar se uron që ky proces të përmbyllet sa më shpejt.

“Përshëndes hapin e rëndësishëm të ndërmarrë nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me lëvizjen e lirë, pa viza te qytetarëve të Kosovës ne hapësirën Shengen!

Uroj që ky proces të përmbyllet sa më shpejt dhe qytetarët e Kosovës të ndjehen njësoj si qytetarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor!

Një vendim shumë i merituar!”, ka shkruar Begaj.

Kujtojmë se më 12 janar të këtij viti Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, që shkurt njihet edhe si LIBE, i Parlamentit Evropian, në pikën për Kosovën që ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave kishte votuar me shumicë dërmuese pro liberalizimit të vizave.

Ndërkaq, më 14 dhjetor të vitit të kaluar Ambasadorët e Bashkimit Evropian (BE) e kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ekipet negociuese të Parlamentit Evropian dhe kryesisë së Këshillit të BE-së, arritën marrëveshjen për projekt-rregulloren për udhëtimin pa viza për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.

Institucionet e BE-së ranë dakord që kërkesa për të mos pasur viza për kosovarët do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS) dhe në çfarëdo rasti, jo më vonë se 1 janari 2024.

Sipas rregullave, mbajtësit e pasaportave të Kosovës që udhëtojnë në BE pa viza, do të mund të qëndrojnë për 90 ditë, në çdo periudhë 180 ditore.