AKTUALITET, 8 Korrik 2025, 12:12

Vendimi/ Lirohet nga burgu ish-deputeti i PD, Ervin Salianji

Vendimi/ Lirohet nga burgu ish-deputeti i PD, Ervin Salianji

Tre muaj para përfundimit të dënimit me 1 vit burg për kallëzim të rremë për ‘dosjen Babale’, Ervin Salianji është liruar nga qelia.

Vendimi u dha sot në gjykatën e Fierit, ku trupa gjykuese vendosi në favor të lirimit me kusht të ish-deputetit të PD, pasi Shërbimi i Provës paraqiti një raport pozitiv ndërsa edhe prokuroria dha dakordësinë. I pranishëm në seancë ishte edhe vetë ish-deputeti.

Salianji ndodhej në burgun e Fierit prej shtatorit të vitit 2024, pasi u dënua me 1 vit burg me vendim të formës së prerë për kallëzim të rremë në lidhje me çështjen “Babale”.

Në seancën e sotme në gjykatë Shërbimi i Provës ka paraqitur raport pozitiv për Salianjin, ndërsa edhe prokurori i çështjes ka shprehur dakordësinë për lirimin e tij.

Salianji ndodhej i izoluar në burgun e Fierit prej muajit tetor të vitit të kaluar. Ish-deputeti u shpall fajtor me vendim të formës së prerë për kallëzim të rremë nga gjykata e Apelit për dosjen ‘Babale’, duke e dënuar me 1 vit burg. Ai e cilësoi procesin si të montuar dhe e quajti veten një të dënuar politik.

Ervin Salianji u dënua për kallëzim të rremë, pasi në 2018-ën publikoi materiale të prezantuara si audio-përgjime, përmes së cilave pretendonte se vëllai i ministrit të Brendshëm atë kohe, Fatmir Xhafaj ishte i përfshirë në trafikun e drogës.