AKTUALITET, 6 Dhjetor 2021, 19:59

Vendimi i "Kushtetueses" për 30 qershorin/ Meta: Nesër qëndrim zyrtar për zgjedhjet lokale të 2019

Vendimi i "Kushtetueses" për 30 qershorin/ Meta: Nesër

Presidenti i Republikës Ilir Meta do të bëjë të ditur nesër qëndrimin e ti zyrtar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, i zbardhur pak ditë më parë.

Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi, shkruan në një postim në “Facebook” se njoftimi i Gjykatës Kushtetuese ka mbërritur sot në protokollin e Presidencës.

"Sot në mesditë ka mbërritur në protokollin e Institucionit të Presidentit të Republikës njoftimi i Gjykatës Kushtetuese për vendimmarrjen e saj për çështjen e zgjedhjeve vendore 2019.

Në respekt të transparencës dhe për rëndësinë e veçantë, që ka kjo çështje për të gjithë qytetarët, brenda ditës së nesërme Institucioni i Presidentit të Republikës do të ketë një qëndrim zyrtar, që do ta bëjë publik për opinionin vendas dhe ndërkombëtar”, shkruan Blushi.

Kujtojmë qe Gjykata Kushtetuese katër dite me parë zbardhi vendimin e saj për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, që hodhi poshtë kërkesën e shoqatës së Bashkive të Shqipërisë dhe i certfikoi ato edhe pse opozita nuk mori pjesë.

Gjykata vlerësoi se “kërkesa drejtuar Gjykatës për verifikimin e zgjedhjes duhet të identifikojë funksionarin publik, shkeljen kushtetuese që pretendohet se është kryer gjatë procesit të zgjedhjes së tij, si dhe aktin konkret që materializon shkeljen kushtetuese. Për pasojë, procedura e verifikimit të zgjedhjes së funksionarëve të organeve të parashikuara nga Kushtetuta duhet parë e lidhur me këto koncepte dhe jo e lidhur me vlerësimin, qoftë edhe në aspektin e kushtetutshmërisë, të procesit zgjedhor në tërësinë e tij”.

Gjykata vlerëson se kushtetutëbërësi, “duke mos e parashikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kompetencën për verifikimin e kushtetushmërisë së procesit zgjedhor, ka pasur si qëllim të mos përfshijë në juridiksionin kushtetues kontrollin e procedurave zgjedhore në tërësinë e tyre”.

Gjykata, “ka vlerësuar mungesën e juridiksionit kushtetues për kërkimin e parë të parashtruar në kërkesën në shqyrtim, atë që lidhet me konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar më 30.06.2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve”.