AKTUALITET, 6 Dhjetor 2021, 13:22

Socialistët propozojnë Denar Bibën si kryetar të Autoritetit të Konkurrencës, opozita kundër: Akuzohet se ka shantazhuar një gjyqtar të Strasburgut

Socialistët propozojnë Denar Bibën si kryetar të Autoritetit

Zgjedhja e kryetarit të ri të Autoritetit të Konkurrencës ka “përplasur” mazhorancën dhe opozitën në Komisionin e Ekonomisë.

Partia Socialiste ka propozuar si kandidaturë, emrin e ish-kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Bibën, për të cilën opozita është shprehur kategorikisht kundër.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi u shpreh se Debar Biba i përmbush të gjitha kriteret ligjore për të mbajtur këtë funksion. Nga ana e saj, Partia Demokratike e ka kontestuar këtë kandidaturë.

Kreu i Grupit të demokrateve, Alfred Rushaj ka sjellë në vëmendje gjatë mbledhjes se Denar Biba u akuzua se ka shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Strasburg Ledio Bianku për të ndërhyrë në një çështje e pronave që po gjykohen në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut. Rushaj u shpreh se kjo nuk do të pranohej, jo vetëm nga opozita por as nga opinioni publik.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit Eduard Shalsi tha se këto pretendime nuk qëndrojnë pasi sipas tij nuk ka asnjë fakt që të vërtetojë këtë akuzë.

Pjesë nga debati në Autoritetin e Konkurrencës:

Eduard Shalsi: Kuvendi i Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e Komisionit të Konkurrencës do shqyrtojë kandidaturën e zotit Denar Biba për në seancë parlamentare. Denar Biba është zgjedhur anëtar i komisionit me vendimin 29 viti 2021, dhe ka përmbushur kërkesat ligjore. Sot komisioni do të shqyrtojë dhe do propozojë kandidaturën e zotit Denar Biba.

Alfred Rushaj: Nuk është korrekte që të marrim në shqyrtim një kandidaturë që nuk është fare në këtë mbledhje. Duam që zotëria të vijë, dhe të na paraqisi platformën e vetë dhe për të treguar vizionin e tij për të drejtuar këtë institucion. Institucioni i konkurrencës është shumë e rëndësishme. Ne absolutisht nuk gjykojmë që zotëria do të ketë besimin e një pjese të mirë, jo vetëm të opozitës por edhe shoqërisë.

Mos të harrojmë që është, jo vetëm me afërsinë politike, por të mos harrojmë që është personi që ka mbajtur një pozicion të lartë shtetëror që është akuzuar nga një anëtar i Gjykatës së Strazburgut për ndërhyrje në një çështje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Nuk do ishte e udhës për ta çuar. Në këto institucione, ka qenë praktikë që të ketë dhe opozita. Kur keni qenë ju në opozitë, keni pasur një post. Ka uzurpuar pozicionin e anëtarit që e ka mbajtur opozita. Po prishni një praktikë të kuvendit.

Arbi Agalliu: Unë jam dakord, e shoh të papranueshme që në krye të një institucioni, që ka një rëndësi të jashtëzakonshëm, kur ne kemi thërritur dhe anëtarët e saj që të vijnë në komision dhe nuk kanë ardhur. Nuk paska sot Partia Socialiste, një djalë a një vajzë, profesionist që të mos jetë i përfshirë në pozicione të mëparshme politike. Atyre institucioneve që janë të pavarura t’i ofrojmë kandidatura të cilat nuk janë të përfolur dhe nuk kanë qëndrime politike. Ka plot profesionistë që mund ta kryejnë atë funksion.

Eduard Shalsi: Është akuzuar tha Rushaj. Nuk ka asnjë dokument që anëtari i Gjykatës së Strasburgut ta ketë akuzuar. Nëse do të kishte pasur shantazh ose vepër penale, gjyqtari do e kishte referuar në gjykatat e vendit. Nuk ka pasur asnjë referim nga zotëria. Nga ana tjetër, në këtë autoritet konkurrence kemi pasur një anëtar që sot është deputet dhe hoqi dorë nga posti i tij për të marrë postin si deputet.

Nuk besoj se të merresh me politikë, dhe të mos jesh profesionist. Në referencën e një libri që ka botuar, ka tre personalitete në opinionin tim, është një zonjë që ka dhënë një koment mbi librin, Aurel Anastasi, Sokol Sadushi dhe Xhezair Zaganjori. Do të doja, ju z.Agalliu nuk keni pasur akuza mbi kurrizin tuaj, na takon që të jemi të kujdesshëm në lidhje me mënyrën se si shprehim opinionet tona.