AKTUALITET, 25 Shkurt 2025, 14:51

Vdekja e 3-vjeçarit në Shkodër, Prokuroria regjistron procedimin penal dhe nis hetimet

Vdekja e 3-vjeçarit në Shkodër, Prokuroria regjistron

Prokuroria e Shkodrës ka regjistruar procedimin penal dhe ka nisur hetimet për vdekjen e një djali 3-vjeçar një ditë më parë në zonën e Vaut të Dejës në Shkodër, i cili dyshohet se është helmuar nga ilaçi kundër minjve.

Burime bëjnë me dije se Prokuroria ka orientuar shërbimet e Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Vau të Dejës për kryerjen e veprimeve të para hetimore. 3-vjeçari që ndërroi jetë në Shkodër ndërsa motra e tij 7-vjeçare që ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe që është e shtruar në QSUT.

Burime nga mjekët e QSUT bëjnë me dije se dyshohet për intoksikacion nga ilaçi kundër minjve.Prindërit, sipas burimeve, kanë bërë spërkatjen e një magazine me ilaç kundër minjve.  Gjatë spërkatjes së magazinë ata kanë patur me vete edhe fëmijët, të cilët kanë pësuar intoksikacion të rëndë.

Reagimi zyrtari i policisë për ngjarjen

Në lidhje me këtë ngjarje, Policia bën me dije se të premten (21 shkurt) dy fëmijët janë dërguar në spital nga babai i tyre, me dyshime për viroza të stinë. Pas mjekimit ata janë larguar në banesë.

Por për shkak se gjendja e tyre ishte rënduar, një ditë më vonë, babai i kishte dërguar sërish në spital, por fatkeqësisht 3-vjeçari kishte humbur jetën. Ndërsa 7-vjeçarja u dërgua në QSUT, për mjekim të specializuar.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 3-vjeçarit.

“Më datë 21.02.2025, shtetasi S. H. ka dërguar për mjekim në Repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër, 2 fëmijët e tij, vajzën 7 vjeçe dhe djalin 3 vjeç, të dyshuar me virozë stine. Pas mjekimit, shtetasi S. H. dhe 2 fëmijët janë larguar në banesë.

Për shkak të rëndimit në gjendjes shëndetësore të fëmijëve, në banesë, më datë 22.02.2025, shtetasi S. H. i ka dërguar përsëri 2 fëmijët për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër.

Pavarësisht ndihmës mjekësore, 3-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa 7-vjeçarja u dërgua në QSUT, për mjekim të specializuar. Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 3-vjeçarit“, njofton policia.