AKTUALITET, 23 Shkurt 2024, 10:26

'Vajza ishte engjëll, s’mund të vriste dot një pulë, jo babanë', flet krushku i familjes Meta: S’dimë të kenë patur konflikte

'Vajza ishte engjëll, s’mund të vriste dot një
Pëllumb dhe Hygerta Meta

Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me krimin në Shanavlash të Durrësit, ku një 19-vjeçare vrau babain e saj.

Krimi u fsheh, ndërsa u raportua se 50-vjeçari ishte zhdukur pa gjurmë. Krushku i familjes Meta, (kishte marrë vajzën e madhe të viktimës për djalin) tha se vajza e tij nuk mund të vriste dot një pulë dhe jo më babain e saj.

Ai tha se nuk kishin asnjë dyshim për problemet në familje. “Kam mbetur i shokuar për ngjarjen. Ishin një familje model. Ai punonte si roje te pazari i makinave. Hygerta është një engjëll, nuk mund ta vriste dot babain e saj. Ajo nuk vriste dot një pulë, jo babain e saj.”, tha krushku për gazetaren Klodjana Haxhiaj.

Po ashtu mësohet se 50-vjeçari Pëllumb Meta u vra në kasollen e bagëtive dhe me pas është varrosur në oborr.

Familjarët thonë se janë shumë të tronditur dhe se nuk dinin asgjë.

“Nuk di asgjë. Jam shumë i tronditur. Është traditë e shqiptarit të njoftojmë njëri-tjetrin për fatkeqësi. Nuk e di si e ka bërë”, tha një familjar.

"Ne e kemi marrë lajmin nëpërmjet televizorit", tha një tjetër i afërm. 

Hygerta Meta, 19-vjeçare dyshohet se ka vrarë dhe groposur në oborrin e shtëpisë në Durrës të atin 50-vjeçar, Pëllumb Meta.

19-vjeçarja rezulton studente në Universitetin e Tiranës për degën e menxhim biznesit. Në dëshminë e dhënë përpara uniformave blu ajo ka marrë përsipër autorësinë e krimit.

19-vjeçarja ka deklaruar se ishte ajo që e dërgoi automjetin e babait të saj në zonën e plazhit në Durrës.

Vrasjen e të atit e ka kryer me pistoletën e viktimë, por policia ende nuk ka mundur të sekuestrojë armën dhe as gezhojat, të cilat po ashtu ka deklaruar se i ka hedhur në zonën e Sektorit Rinia.

Babai Pëllumb Meta punonte si roje. Burime bëjnë me dije se policia e Durrësit po verifikon edhe rolin e të ëmës së 19 vjeçares dhe 2 vëllezërve të saj në ngjarjen e rëndë në familje.

Motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që ata kanë patur.