AKTUALITET, 7 Gusht 2024, 09:48

"Unë po dhuroj rrogën e deputetit, as më shkon në mendje të marr fonde nga shteti", deputeti Vullnet Sinaj mohon se ka marrë fonde publike përmes tenderave

"Unë po dhuroj rrogën e deputetit, as më shkon në

Vullnet Sinaj ka reaguar pas kërkesës së Partisë Demokratike drejtuar Kuvendit, për t’i hequr mandatin deputetit socialist.

Sipas tij, thashethemet e portaleve po përdoren nga opozita duke i kthyer në akte politike. Vullnet Sinaj në deklaratë sqaruese thekson faktin se ka hequr dorë nga kompanitë e tij që në 2017 ku u zgjodh deputet, duke mohuar pretendimet e opozitës.

“Me vendimet e depozituara në QKB në vitin 2017, kam vendosur transferimin e të gjitha kuotave të kompanive, sipas ligjeve në fuqi. Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet,” thotë Sinaj.

Dje u publikuan dokumente se si Vullnet Sinaj, me rreth 35 biznese në Shqipëri, rezulton se ka futur duart në buxhetin e shtetit.

Partia Demokratike iu drejtua me një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për të dërguar në Kushtetuese mandatin e deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj.

Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike bëri me dije se do të dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese mandatin e Sinajt pasi sipas tyre nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit.

Demokratët thonë se në kundërshtim flagrant me ligjin ka përfituar disa milionë lekë nga Buxheti i Shtetit, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e tij si deputet.

Demokratët e akuzojnë Sinajn, se përmes linjës së supermarketeve në Shqipëri “ Big Market” ka “futur duart” në Buxhetin e Shtetit.

Reagimi i Sinajt

Mësova me habi dhe jo pa humor, kërkesën për mocion të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Gjobëvënësit mediatikë e përsërisin këtë këngë gjinkallash nga viti 2017. Por, surpriza është që thashethemet e portaleve përdoren nga opozita duke i kthyer në akte politike.

Per sa më sipër, deklaroj me përgjegjësi të plotë:

1. Në zbatim të nenit 70, pika 3 e Kushtetutës, nga viti 2017 kam dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve të mia, duke iu përkushtuar vetëm politikës.

2. Me vendimet e depozituara në QKB në vitin 2017, kam vendosur transferimin e të gjitha kuotave të kompanive, sipas ligjeve në fuqi.

3. Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet.

Për më tepër, dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitoj financiarisht nga buxheti i shtetit.