TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Shuma që Albcontrol, kompania me pronësi shtetërore, që menaxhon trafikun ajror, nuk ka arritur të arkëtojë për shkak të bllokimit të llogarive të saj në Eurocontrol, si rrjedhojë e konfliktit mes qeverisë shqiptare dhe investitorit italian, Francesco Becchetti, ka arritur në 10.5 miliardë lekë (rreth 105 milionë euro) në fund të vitit 2023.
Këto të ardhura, Albcontrol duhet t’i kishte marrë nga aktiviteti normal i saj, uljengritje e mbikalime për periudhën 2021-2023.
E dhëna është bërë e ditur në shënimet shpjeguese të pasqyrave financiare të bilancit të Albcontrol të vitit 2023. Zëri “Llogari të arkëtueshme nga kompanitë ajrore”, i cili paraqet të drejtat për arkëtim për shoqërinë, por që nuk janë arkëtuar paratë për këto të ardhura, është rritur me shpejtësi nga viti 2021, kur u bë dhe bllokimi i llogarive të Albcontrol, pranë Eurocontrol.
Nga 607 milionë lekë që ishte ky zë në dhjetor 2020, arriti në 2.9 miliardë lekë në 2021, u rrit në 6.7 miliardë lekë në vitin 2022 për të arritur në 10.5 miliardë lekë në 2023, me një rritje prej 57% brenda vitit.
“Këto aktive afatshkurtra në vlerën 10,385,744,284 lekë përfaqësojnë, të drejtat e shoqërisë më 31.12.2023 ndaj kompanive ajrore në vlerën 10,501,942,029 leke, nga të cilat llogari të dyshimta për vitin 2023, janë në vlerën 116, 197, 745 leke.
Gjatë vitit 2023 ashtu si edhe gjatë vitit 2022, shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga shërbimi en route dhe terminal charge si pasojë e një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë të Brukselit, për ngrirjen e llogarive të Albcontrol sh.a. pranë organizatës Eurocontrol”, thuhet në raportin e audituesve.
Eurocontrol është organizatë paneuropiane e dedikuar në mbështetjen e aviacionit europian, me seli në Bruksel.
Në vitin 2023, kompania raportoi të ardhura prej 3.3 miliardë lekësh, në rritje me 20% në krahasim me vitin e mëparshëm, si rrjedhojë e gjallërimit të aktivitetit ajror pas pandemisë.
Megjithatë në raport thuhet se Albpetrol ka llogari në pritje të ardhura për tu marrë në vlerën 2.6 miliardë lekë, nga të cilat 1.12 miliardë lekë janë të ardhurat e vitit korrent dhe 1.46 miliardë lekë të vitit të mëparshëm.
“Të ardhurat nga ky shërbim publik janë njohur dhe kontabilizuar sipas parimit të të drejtave të konstatuara”, thuhet në raport.
Audituesit: Ngrirja e llogarisë krijon pasiguri për vijimësinë e shoqërisë
Audituesit kanë dhënë opinion me rezervë në bilancin e 2023 duke pohuar se nuk janë në gjendje të vlerësojnë efektin që ndonjë korrigjim i mundshëm nga zhvlerësimi i llogarive të arkëtueshme do të kishte në pasqyrat financiare të shoqërisë.
Albcontrol në bilanc ka zhvlerësuar si llogari të arkëtueshme të dyshimta vetëm 116 milionë lekë, nga 10.5 miliardë lekë që është shuma totale për tu arkëtuar, ose vetëm 1% të totalit.
“Shuma e zhvlerësimit deri në masën e vlerës së tyre të rikuperueshme do ulte vlerën e aktiveve dhe të kapitaleve të veta në të njëjtën masë”, thuhet në raportin e audituesve.
Audituesit nuk e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre se “si rezultat i vendimit të gjykatës së Brukselit, llogarite bankare të shoqërisë Albcontrol sha pranë Eurocontrol janë ngrirë, që mund të krijojë ekzistencën e një pasigurie materiale mbi aftësinë e Shoqërisë për të vazhduar në vijimësi.
Megjithatë ata theksojnë se “Albcontrol ka statusin e një enti publik jobuxhetor dhe jofitimprurës.
Fondet e përfituara nga tarifat e përcaktuara në ligjin 40/2024 “Për ofruesin e shërbimeve të lundrimit ajror “Albcontrol “, përdoren ekskluzivisht për mbulimin e kostos së ofrimit të shërbimeve të lundrimit ajror dhe mundësimin e veprimtarisë së Albcontrol-it, në funksion të këtyre shërbimeve, në përputhje me parimet dhe marrëveshjet nderkombëtare dhe gëzojnë imunitet nga urdhrat e ekzekutimit deri në masën e nevojshme për ushtrimin e aktivitetit normal të Albcontrol-it”.
74 milionë euro kredi për të përballuar aktivitetin
Pamundësia për të arkëtuar paratë nga shërbimet që ajo ofron kanë detyruar Albcontrol që të marrë kredi dhe ndihma pranë institucioneve shtetërore.
Në fund të vitit 2023, Albcontrol kishte një principal kredie për tu paguar prej 7.4 miliardë lekë, nga 2.4 miliardë lekë në 2022. Nga kjo shumë, 421 milionë lekë janë dhënë hua nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të transportit Rrugor.
Për këtë kredi afati i shlyerjes është shtyre brenda 6 mujorit të parë 2025, së bashku me interesat dhe komisionet që do ti paguhen huadhënësit.
Qeveria nga ana e saj ka dhënë një mbështetje financiare prej 3 miliardë lekë përmes një akti normativ të miratuar në dhjetor 2023. Shoqëria do të kthejë shumën e marrë brenda 31.07.2026 (shlyerja do të bëhet me 3 këste të barabarta gjashtëmujore duke filluar me këstin e pare të pagueshëm në date 31.07.2025).
4 miliardë lekë të tjera janë dhënë mbështetje financiare me vendim të Asamblesë së Aksionarit, përkatësisht nga 2 miliardë lekë në dhjetor 2022 dhe nëntor 2023. Aksioneri i Albcontrol është Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Konflikti me Becchetti, shteti ende njeh detyrim 108 milionë euro
Zanafilla e përplasjes mes shtetit dhe investitorit nisi në qershor të 2015-ës, kur u bllokuan asetet e Francesco Becchetti-t.
Bllokimi i këtyre aseteve çoi edhe në mbylljen e televizionit Agon Channel, element që u përdor nga Beccheti për të çuar çështjen në Arbitrazh.
Përballja e Shqipërisë me investitorin italian, Francesco Becchetti, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, përfundoi me një vendim në favor të tij, duke i akorduar një kompensim prej 110 milionë eurosh në vitin 2020.
Në 26 maj 2021, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) u paraqit një tjetër kërkesë e Shqipërisë sa i takon përplasjes me investitorin italian Francesco Becchetti ku u regjistrua një kërkesë për korrigjim të vendimit për anulim të paraqitur nga Republika e Shqipërisë.
Por në prill 2023, Becchetti fiton përfundimisht Arbitrazhin me qeverinë shqiptare.
Ky i fundit, pasi ftoi gjyqin me qeverinë shqiptare për një shumë prej 110 milionë eurosh, po synon mbledhjen e parave në llogaritë që shteti shqiptar ka jashtë kufijve, ku një prej tyre është llogaria e Albcontrol në Eurocontrol në Bruksel, e cila ka ngrirë që prej vitit 2021.
Në buxhetin faktik 2023, qeveria e konsideron si kontingjent për tu paguar vendimin që Gjykata e Arbitrazhit ka dhënë për çështjen Becchetti ku shteti shqiptar detyrohet t’i paguajë sipërmarrësit 108 milionë euro.
Ky detyrim përbën rreth 60% të totalit të kontingjentit ndaj arbitrazhit deri në fund të vitit 2023. /Monitor