AKTUALITET, 13 Mars 2022, 21:05

U arrestuan gjatë protestave për çmimet, gjykata e Lezhës jep vendimin për personat që bllokuan "Rrugën e Kombit"

U arrestuan gjatë protestave për çmimet, gjykata e Lezhës

Gjykata e Lezhës la të lirë pesë personat e arrestuar të premten, pas protestën e zhvilluar në Mirditë gjatë të cilës u bllokua për 60 minuta Rruga e Kombit në afërsi të hyrjes së Rrëshenit.

Në seancën e zhvilluar me dyert të mbyllura, gjyqtari Artan Hajredinaj pranoi kërkesën e prokurorit Ylli Pjetërnikaj dhe vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për të pestë të arrestuarit.

Personat u arrestuan nga policia, pasi bashkë me dhjetëra të tjerë u ngritën në protestë kundër rritjes së çmimeve, duke bllokuar Rrugën e Kombit.

Arrestimet e personave të përfshirë në protesta kundër rritjes së çmimeve u dënuan nga aktivistë.

Policia u përball me kritika përfshirë thirrjen e Dom Gjergj Metës, Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, për të liruar protestuesit. “Arrestimet e mbrëmshme dhe të sotshme të disa personave, apo shpallja në kërkim e disa të tjerëve, në Rrëshen dhe Bulqizë, për shkak se kanë dalë të protestonin për shtrenjtimin e çmimit të naftës, është një akt policor ekstrem dhe i pajustifikuar,” shkroi Meta në faqen e tij në Facebook.