AKTUALITET, 28 Prill 2023, 17:11

U arrestua për zhdukjen e ‘Koçoles’ dhe Sulovarit, ‘arrest me burg’ për të riun në Sarandë. 28-vjeçari ‘kyç’ gojën para hetuesve

U arrestua për zhdukjen e ‘Koçoles’ dhe Sulovarit,

“Arrest me burg” për 28-vjeçarin Sofokli Baxheri, i njohur shkurt me emrin Sofo, i cili akuzohet se ka gisht në zhdukjen e 46 vjeçarëve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi në Sarandë. Masa u dha sot nga Gjykata e Sarandës. I riu u arrestua mëngjesin e djeshëm pas një urdhër arresti të lëshuar nga prokurorja Esmeranda Basho, si person i dyshuar për veprat penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës” dhe “deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Baxheri dyshohet se i ka dhënë me qira një banesë në fshatin Nivicë, personave të dyshuar si autorë të rrëmbimit e ndoshta vrasjes së 46-vjeçarëve si dhe për vendosjen e eksplozivit në banesën e 54 vjeçarit Lefter Lefteri alias Afëz Kulla.

I riu akuzohet gjithashtu se kë gënjyer gjatë deklarimeve të tij kur është marrë në pyetje nga policia. Siç bëhet me dije, disa ditë më parë Baxheri është shoqëruar nga policia bashkë me disa të rinj të tjerë nga Saranda, si persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen e rëndë. Ata janë kryesisht lidhje shoqërore të disa personave me precedentë penalë që dyshohet se fshihen pas rrëmbimit të dy 46 vjeçarëve.

Nga ana tjetër Baxheri ka “kyçur” gojën para oficerëve të policisë gjyqësore duke mos qenë bashkëpunues. Këta të fundit kërkojnë prova se kush fshihet pas automjetit që u gjet në garazhin e banesës së Baxherit në Nivicë, automjet i cili rezulton i përfshirë në ngjarjen e rrëmbimit dhe tritolit. Në fakt për rastin e shpërthimit me eksploziv, rezulton çuditërisht që Baxheri të jetë shok me djalin e Lefter Lefterit.