AKTUALITET, 14 Dhjetor 2025, 16:29

U akuzuan se morën peng dhe dhunuan një 32-vjeçar, lirohen nga burgu vëllai i deputetit të PD-së dhe 2 të tjerë

U akuzuan se morën peng dhe dhunuan një 32-vjeçar, lirohen nga

Pas 40 ditëve në qeli, Alti Nallbati vëllai i deputetit demokrat Bledjon Nallbati, dhe dy shtetasit e tjerë Marsel Buçi e Trajan Çeliku kanë lënë ambjentet e burgut të Drenovës pasi gjykata ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë në “arrest shtëpie”.

Fillimisht ata u lanë në masë sigurie “arrest në burg”, me afat 40 ditor për arsye të mbledhjes së provave dhe veprimeve hetimore shtesë të prokurorisë. Në përfundim të këtij afati, në seancën e radhës tre të arrestuarit që morën peng dhe dhunuan 32 vjeçarin Ilir Topçiu, janë lënë në "arrest shtëpie".

Ngjarja ka ndodhur më tepër se 1 muaj më parë në qytetin e Bilishtit ku tre të arrestuarit kanë marrë me forcë 32-vjeçarin Ilir Topçiu duke e cuar në magazinën në pronësi të njërit prej të arrestuave, ku e kanë dhunuar dhe mbajtur për disa orë peng.

Alti Nallbati dhe Trajan Çeliku u akuzuan për veprat penale të “heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “kanosje”, të dyja veprat të kryera në bashkëpunim.

Ndërsa Marsel Buçi krahas dy veprave penale të mësipërme, u akuzua edhe për “plagosje të lehtë me dashje”. Hetimet vijojnë për këtë çështje që prej momentit kur Ilir Topçiu denoncoi ngjarjen pranë uniformave blu.