AKTUALITET, 14 Dhjetor 2025, 10:08

"Erdhën disa trimosha të BKH-së që nuk donin ta linin patllaken te dera", Rama kujton episodin në kryeministri dhe komenton zgjedhjen e kreut të SPAK

"Erdhën disa trimosha të BKH-së që nuk donin ta linin

Kryeministri Edi Rama në podkastin e tij “Flasim” ka komentuar një episod ku sipas tij, agjentë të BKH kanë hyrë në godinën e Kryeministrisë, duke mos respektuar madje as rregulloren e sigurisë së lartë të Gardës së Republikës.

Rama theksoi se kjo nuk tregon që drejtësia e re ka humbur sensin, por se është koha për një reflektim serioz, profesional dhe ndërinstitucional.

“Por unë, nuk do ta ndjek kurresesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës.


Pra, nuk dua kurresesi të them se ferrat e mendësive e sëmundjeve të vjetra, e kanë marrë uratën e drejtësisë së re, por dua të ndaj me të gjithë  bindjen se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë, në një proces historik, ku duhet të garantojmë medoemos suksesin e Reformës në Drejtësi, duhet të garantojmë  pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë medoemos që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë, të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama ka uruar Klodian Brahon për zgjedhjen e tij si kryeprokuror i SPAK, pas largimit të Altin Dumanit, të cilin Rama e vlerësoi për ngritjen e institucionit.

Kreu i qeverisë shtoi se roli i ri i Brahos do të jetë kyç për të çuar SPAK-un në trevjeçarin e fundit të ciklit nëntëvjeçar në një nivel më të lartë profesional, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Rama theksoi se lufta kundër korrupsionit nuk konsiderohet e përmbushur me sukses, ndaj kërkoi nga Braho që ta çojë SPAK në një tjetër nivel.

“Këtë javë SPAK-u zgjodhi drejtuesin e ri, i cili do të pasojë Altin Dumanin, kryeprokurorin që e ngriti institucionin në një nivel tjeter, duke e kthyer, falë forcës së shembullit të tij në radhe të parë, në një fakt konkret, historik, do të thoja pa ekzagjerim, atë që dukej një parrullë e parealizueshme, kur unë e përsërisja gjatë kohës së betejës për të kaluar reformën në drejtësi dhe më pas në rrugën e implementimit të saj, një drejtësi që nuk sheh majtas e djathtas, po vetëm drejt.

Për këtë i përcjell edhe njëherë Altin Dumanit shprehjen e respektit tim, si edhe i uroj çdo të mirë në vijim.

Ndërkohë që, kryeprokurorit të ri Klodian Braho, i uroj ta çojë SPAK-un në këtë trevjeçar të fundit të ciklit nëntëvjeçar, në një nivel tjetër për sa i takon profesionalizmit në luftën kundër krimit të organizuar, e sidomos në luftën kundër korrupsionit, e cila nuk mund të konsiderohet e përmbushur plotësisht me sukses, nga ana e atij institucioni, nëse maskohet me statistika të nxjerra nga “thesi i madh” siç quhet neni i mjegullt i shpërdorimit të detyrës – për të cilin sapo ka dalë edhe një direktive e re e BE-se – pikërisht për të reflektuar mbi shqetësime që nuk janë vetëm tonat  apo me lojra mediatike te llojit Big Brother, me transkripte telefonash te nxjerra në shkelje të ligjit nga dosjet hetimore, për të cilat po ashtu BE-ja ka korniza shumë strikte ligjore.

Kam shumë besim se eksperienca e gjashtë viteve, arritjet e padiskutueshme, si edhe mundësisht modestia e domosdoshme për të parë me sy vetëkritik punën e deritanishme, mund ta çojnë SPAK-un në nivelin ku duhet të jetë tre vjet nga sot”, tha Rama.