TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kreu i Demokratëve Eueoatlantikë, Lulzim Basha, është takuar ditën e sotme në Berlin me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Niels Von Redecker.
Basha shprehet se kanë diskutuar për situatën politike në Shqipëri, sistemin e drejtësisë dhe përpjekjet e qeverisë dhe një pjesë të opozitës për ta shantazhuar dhe penguar punën e saj.
Pjesë e bisedës sipas tij, ishte edhe situata në rajon dhe veçanërisht për Kosovën.
“Kënaqësi të takohesha sot në Berlin me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Niels Von Redecker. Diskutuam gjerësisht për situatën politike në Shqipëri, sistemin e drejtësisë dhe përpjekjet e qeverisë dhe një pjesë të opozitës për ta shantazhuar dhe penguar punën e saj.
Bashkëpunimi kundër drejtësisë u pa edhe me miratimin e Amnistisë, ku përfituan edhe zyrtarë të korruptuar. E informova edhe për paktin e zyrtarizuar në kuvend në muajin korrik, i cili ua pamundëson qytetarëve që të zgjedhin deputetët me votën e tyre.
U ndalëm gjithashtu në situatën në rajon dhe veçanërisht në Kosovë. Ndava qëndrimin tim se është jetike për paqe dhe siguri afatgjatë në rajonin tonë që 5 vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, të ndërmarrin një hap të tillë dhe të ecet pa humbur kohë në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe (mekanizmi i paraanëtarësimit në NATO), dhe të nisin bisedimet për anëtarësim në BE”, shkruan Basha.