AKTUALITET, 7 Nëntor 2024, 22:24

"Trump ka të gjithë veset e politikanëve shqiptarë!"/ Blendi Kajsiu: Demokracia amerikane në rrezik të thellë!

"Trump ka të gjithë veset e politikanëve

Analisti Blendi Kajsiu, ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku ka folur për rikthimin e Donald Trump dhe impaktin që kjo mund të ketë edhe në vendin tonë. 

Kajsiu tha se Trump ngjan me veset e politikanëve shqiptarë dhe është një rrezik për demokracinë jo vetëm në Amerikë, por edhe në Shqipëri, pasi është modeli i politikanit që kërkon pasurimin personal, i sheh kundërshtarët politikë si armiq dhe se modeli i tij do të normalizojë edhe "patologjitë tona". 

"Është çudi e madhe dhe tronditje e madhe politike. E parë nga Shqipëria, duket sikur është një politikan shqiptar në SHBA. Trupëzimi i veseve më të mëdha të politikës shqiptare. Ne e njohim shumë mirë Trumpin prandaj jemi çuditur se si arrin në Presidencën e SHBA. Ne jemi përpjekur të shkojmë te Amerika, por duket se Amerika po vjen te ne. Po të shohësh sot partinë Republikane, i ngjan PS-së së Ramës.

Ka një ngjashmëri mes Trump dhe Ramës, në transformimin e partisë në një kazermë që adhuron liderin. Në PS Rama ka kontroll total dhe duhet të adhurosh liderin që të bësh karrierë. Po të shohësh Trump ka bërë të njëjtën gjë. Edhe kur zgjodhi zv.presidentin, tha nga të gjithë, ky më donte mua më shumë.  Kemi një parti Republikane të rreshtuar. Politika e tij është tipike berishiste, transformimi i tjetrit në armik. 

Është një mbështjellje e problematikave që kanë patur forcat tona. Përdorimi i politikës për pasurimin personal. Reduktimi i partisë te adhurimi personal. Reduktikmi i politikës në  armiqësi, tipike e berishizmit. Në ligjërimin e Trump ka armiq, jo kundërshtar. Kjo është tipike. E njohim Trumpin te berishizmi, që ai që është kundër meje është i blerë, etj. Mënyra ordinere e përdorimit të pushtetit për pasurimin personal, na kujton Metën. Pra kur Trump ishte President shkonin diplomatët te hoteli i tij.

SHBA ka një ideal dhe është sjellë edhe në mënyrë anti-demokratike në shumë vende, por Trump si model politik është shumë larg demokracisë. Nuk duhet ta normalizojmë fenomenin Trump. Partia Republikane është partia e Abraham Lincoln. Trump është politikan i botës së tretë në një vend të botës së parë.  Është i ngjitur fort pas pushtetit, e përdor për lartësimin dhe pasurimin e vetes. Demokracia amerikanë është në rrezik të thellë.

De facto Trump ka kontroll të Kongresit, asnjë president nuk e ka patur partinë e tij nën kontroll të tillë. Kemi një përqëndrim të fuqishëm të pushteteve në një dorë, model thellësisht jo demokratik. Kjo përbën një rrezik për ne, sepse do të normalizohen patalogjitë tona, do të themi, kështu është edhe në Amerikë", tha Kajsiu.