AKTUALITET, 7 Nëntor 2024, 21:25

Dosja “Çyrbja”, Sejamini: Krimi ka kaluar nga mbështetja për partitë, te përfaqësuesit e vet në Kuvendin e Shqipërisë

Dosja “Çyrbja”, Sejamini: Krimi ka kaluar nga mbështetja

Analisti Neritan Sejamini, duke komentuar hetimet e SPAK-ut për ish-deputetin e PS-së, Jurgis Çyrbja, u shpreh në emisionin “Të Paekspozurit” në MCN Tv, se krimi ka depërtuar thellë në institucionet e vendit. Ai tha se krimi nuk mjaftohet më duke i shërbyer politikës, por tani kërkon të ketë përfaqësuesit e tij në Kuvendin e Shqipërisë, siç ishte rasti i Çyrbjes.   

“Në Shqipëri ka një mendim naiv që krimi mund të sjellë zhvillim. Ta lejojmë të ndërtojë pallate, të bëjë ndonjë gjë, se nuk prish punë. Madje thonë kriminelët nuk i bëjnë as këtu paratë, i bëjën në Evropë pse mos i sjellin. Krimi nëse hyn në ekonomi, përfundon në majën e politikës.

Që të futesh në ekonomi kap tatimet, doganat, gjykatësin, politikanin. Krimi ka kaluar nga mbështetja për partitë, nga favoret për partitë, tek përfaqësuesit e vet në Kuvendin e Shqipërisë.

Pra edhe krimi nuk ka më besim se mund të jetë thjesht një çirak, por do të jetë faktor politik. Ne morëm vesh nga SKY ECC për Çyrben, sa të tjerë ka që janë përfaqësues të krimi? Sa përfaqësues të krimit ka në polici, prokurori?

Pra nëse një grup kriminal arrin të fusë në Kuvendin e Shqipërisë një përfaqësues, mendo se sa kollaj e kanë në institucionet e tjera. Ky është problemi që kemi sot, krimi është bërë faktor i rëndësishëm ekonomik dhe politik. Kjo gjë nuk zgjidhet me SPAK, por kërkon zgjidhje të thellë politike.

Kërkon ndërgjegjësim të qytetarëve gjithashtu”-tha analisti Neritan Sejamini.