TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Tre ditë pas aksidentit tragjik në aksin Sarandë–Delvinë, ku humbën jetën motrat, Rozina dhe Ela Dhimaku dhe ngeli e plagosur rëndë Antonela Zhupa, gjykata e Sarandës caktoi masën e sigurisë për drejtuesin e mjetit “Audi”, 23-vjeçarin Kevin Norra.
Në seancën e zhvilluar prokurorja e çështjes, Besjana Sadikaj, kërkoi masën e arrestit me burg, të cilën gjykata e pranoi.
Norra u ndalua menjëherë pas ngjarjes tragjike që ndodhi mbrëmjen e të dielës për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe parakalim të gabuar.
Sipas policisë, Nora, banues në Fier, ngiste makinën e tij, tip Audi, në gjendje të dehur. Për këtë arsye ai akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
“Ky shtetas, më datë 24.08.2025, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur (nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l), është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen E. Dh., 22 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shtetaset E. Dh., 22 vjeçe dhe R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, mbeti e dëmtuar rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, sqaroi policia.
