AKTUALITET, 27 Gusht 2025, 11:51

Zjarret/ Rama: Do të kemi flotën e avionëve tanë. Do të përdorim më shumë dronë me kamera termike! Teknologji e inteligjencë me sisteme alarmi

Zjarret/ Rama: Do të kemi flotën e avionëve tanë. Do të

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shumë shpejt edhe Shqipëria do të ketë flotën e avionëve për t’u përballur me situatat e zjarreve.

Rama u shpreh se flota do të nisë me dy avionë zjarrfikës, ndërkohë që qeveria po përgatit një strategji të re për parandalimin dhe menaxhimin më efikas të situatave të zjarrit.

Kreu i qeverisë foli gjithashtu për investime të reja në teknologji dhe infrastrukturë, duke përfshirë sisteme alarmi të hershëm dhe qendra të integruara të kontrollit, të cilat do të mundësojnë një reagim më të shpejtë dhe më të koordinuar me mjetet tokësore.

“Edhe ne do të kemi së shpejti flotën e avionëve tanë, e cila do të nisë të ndërtohet me dy avionë zjarrfikës, por “magjia” është bashkërendimi dhe sakrifica në tokë.

Po përgatitemi për çfarë mund të bëjmë më shumë. Parandalim me të mençur, pastrim pyjesh, krijim korridoresh natyrore, futje në përdorim të më shumë dronëve në përdorim me kamera termike dhe futjen në përdorim të dronëve për mbjelljet e reja në sipërfaqet e djegura.

Teknologji dhe inteligjencë  me sisteme alarmi të hershëm dhe një funksionim më i mirë falë edhe investimeve që duhet të bëjmë më tej i qendrave të integruara të kontrollit për të pasur një reagim më të shpejte me mjete tokësore”, tha kryeministri Rama ne ceremoninë e Mirënjohjes Kombëtare të dhënies së medaljeve dhe shpërblimeve për të gjithë forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj zjarreve.

Rama përsëriti edhe njëherë se edhe Shqipëria do të ketë flotën e saj me avionë zjarrfikës. Së shpejti pritet që vendi ynë të blejë dy avionë.

“Duhet ta mbajnë parasysh një të vërtetë, avionët nuk janë magjistarë, ata janë ndihmës të fuqishëm të cilët nuk na kanë munguar falë mekanizimit europian të mbrojtjes civile, pjesë e së cilës jemi edhe ne, Shqipëria me të drejta të barabarta. Nuk janë asesi të plotfuqishëm, 22 avionë të gjeneratë së fundit nuk e penguan flakët të digjte dhe përcëllonte Izmirin, duke hapur një plagë të dhimbshme mbi tokën e Turqisë mike dhe duke bërë të evakuohen mijëra njerëz, ashtu sikur forca më e madhe ajrore e planetit, nuk mundi ta shmangte shkrumbimin tragjik të një vendbanimi të madh sa Tirana në Los Angelos. Avionët janë një krah i fuqishëm në betejë dhe ne do kemi së shpejti flotën e avionëve tanë që do nisë të ndërtohet me 2 avionë zjarrfikës, por magjia është bashkërendimi dhe sakrifica në tokë”, tha Rama.