AKTUALITET, 30 Shtator 2024, 20:01

Tensionet në Kuvend/ Deputetët e PD i vunë zjarrin karrigeve, reagon Edi Rama: Ne mbjellim, ata shkulin e djegin! Revoltë ndaj një vendimi gjykate...!

Tensionet në Kuvend/ Deputetët e PD i vunë zjarrin karrigeve,

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën e shkaktuar në Kuvend në seancën e sotme plenare, ku deputetët e PD i vunë flakën karrigeve, pasi i nxorën në ambientet e jashtmë të Parlamentit.

Teksa ishte duke folur në takimin për “Deputeti që duam”, ai tha: Duke ardhur këtu  më çoi dikush këtë fotografi… ky është një zjarr i ndezur me karriget e deputetëve të zgjedhur për t’u ulur dhe përfaqësuar ata që i çojnë atje, në shenjë revolte ndaj një vendimi gjykate.

Më tej Rama tha se “politika ka fuqi si të mbjellë ashtu edhe të shfarosë”.

“Besoj mes këtyre dy pamjeve, kuptohet jo absolute por relative, qëndron dhe ndarja sot këtu midis nesh, që përpiqemi të shërojmë, mbjellim… dhe atyre që shkatërrojnë, shkulin, djegin”, tha Rama më tej.

“Duke ardhur përpara sesa të dëgjoja fjalët tuaja më dërgoi dikush këtë fotografi. Ky është një zjarr. Një zjarri i ndezur me karriget e deputetëve të zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë për tu ulur në ato karrige dhe për të përfaqësuar ata që i cojnë atje, në shenjë revolte ndaj një vendimi gjykata.

Pse e solla këtu këtë imazh? E solla sepse dua të them pak fjalë për politikën, e cila prej shumë kohësh në Shqipëri dhe vende të zhvilluara kalon ditë jo të mira në perceptim publik. Është një mjet që i ka bërë gjëra jashtëzakonisht të mëdha në historinë e njerëzimit, por ka bërë edhe katastrofa jashtëzakonisht të mëdha. Refuzimi i politikës apriori si diçka e keqe, e piste, si diçka që më e mira është të mos ngatërrohesh është foshnjarak.

Është e pamundur që ta vendosësh ti se çfarë politika bën apo nuk bën me ty. Ti mund të vendosësh vetëm sesa ti mund ta ndikosh politikën duke u marrë me te. Në rast se ti i kthen kurrizin dhe refuzon të merresh me të, ajo ka gjithë pushtetin që të merret me ty. Cdo gjë jashtë dyerve të shtëpisë në ndërveprimet tona mes njerëzish lidhet me politikën dhe vendimet e saj”, tha Rama.