AKTUALITET, 21 Korrik 2023, 17:26

Temperaturat e larta probleme te të miturit, fluks vizitash në pediatrinë e Sarandës

Temperaturat e larta probleme te të miturit, fluks vizitash në

Temperaturat mbi 40 gradë Celcius kanë rritur fluksin e pacientëve të vegjël në spital, që kanë nevojë për ndihmë mjekësore në repartin e pediatrisë në qytetin e Sarandës. Mjeku pediatër Plometeo Peta pohon se shkaqet e rritjes së fluksit të fëmijëve të sëmurë kanë të bëjnë me problemet me diellin dhe të vjella si dhe infeksionet e lëkurës.

“Kjo është një periudhë që ka një shtim të fluksit të vizitave në repartin e pediatrisë, kryesisht nga gastrioenteritet. Sëmundje virusale që shoqërohen me bark e me të vjella janë më problematike në moshat e vogla 0-3 vjeç. Preken dhe fëmijët më të rritur janë sëmundje virusale por mund ta kenë origjinën edhe nga ushqimet e ndenjura.” – tha mjeku.

“Kohët e fundit është vënë re edhe një shtim i infeksioneve të lëkurës vijnë shumë fëmijë me infeksionin e stafilokokut nga kontaktet e fëmijëve me njëri tjetrin. Shoqërohen me puçrra në lëkurë me temperaturë, shfaqet më së shumti në shputat e këmbëve dhe mukozat e gojës.” – shtoi Peta. Sipas pediatrit prindërit duhet të kujdesem që fëmijët të mos qëndrojnë në ambiente me diell pas orës 11:00 dhe të përdorin sa më shumë lëngje.

“Shumica e rasteve që vijnë në urgjencë kanë probleme me dehidrimin, në këto raste rekomandohet më shume të përdorin ushqimet e lëngshme si supat sepse mbrojnë deficitet e humbjes së likuideve, qoftë edhe përdorimi i ujit të zakonshëm”, –tha Plometeo Peta. Pediatria në Sarandë po përballet me mesatarisht 50 vizita dhe 15 shtrime ditore. Përveç pediatrisë të tjerë pacientë u drejtohen qendrave shëndetësore verore në Ksamil e Borsh.