AKTUALITET, 25 Janar 2022, 10:51

Temperaturat disa gradë nën zero, anëtarët e familjes Marku qëndrojnë në gërmadha: Do të hyjmë në grevë urie

Temperaturat disa gradë nën zero, anëtarët e familjes Marku

Prej pothuajse një jave, 16 anëtarë të familjes Marku në zonën e 5 Majit në Tiranë, qëndrojnë ende në banesën e kthyer në gërmadhë.

Pavarësisht temperaturave që kanë shënuar disa gradë nën zero, anëtarët e kësaj familje qëndrojnë në dhomat gjysmë të shembura duke rrezikuar edhe jetën.

Liza Marku thotë se ata janë të vendosur që do të qëndrojnë aty, derisa Bashkia e Tiranës t’iu japë banesa të reja, me marrëveshje të rregullt.

Ajo shprehet se Veliaj çon punonjës të policisë civile për ti kontrolluar gjatë natës. Nuk dihet ende se pse IKMT i ka shembur përgjysmë shtëpitë, duke iu prishur vetëm një anë të plotë të mureve.

“Unë e ftohme kam qenë, kam qëndruar gjithë natën këtu, shkoj pi një kafe a çaj në lokal, dhe rrimë prapë këtu. Ditët më të errëta janë këto për një plakë, rrimë si qen i lidhur, i kam pasur të tëra kushtet brenda, që mi kanë plotësuar fëmijët e mi.

Këtu kemi qëndruar dhe këtu do rrimë, do të futemi në grevë urie, se ne nuk kemi se ku të shkojmë, jemi të rrënuar. I kam pasur të gjitha kontratat dhe letrat e rregullta, nuk kemi qenë kundër projektit, nuk kam nevojë për bonus, ne duam kontratë dhe vulë të rregullt nga kryetari i Bashkisë. Pa e vënë firmë të gjithë… metrat i dua centimë më centimë, siç i kam pasur.

Pallatet janë bosh, nuk kemi nga të shkojmë. Kam qenë shumë keq, se është duke mu bllokuar fryma, edhe sikur të vdes këtu do të rri, nuk ka pse çon as kontrolle, dhe asgjë, vijnë civilë, të mos kujtojë Erion Veliaj se nuk i dimë.

Erion Veliaj na ka vrarë të gjithëve si familje, unë jam malësore nuk rrej, ta mbaj fjalën dhe ai si e mbaj unë, le të vijë dhe të bjerë dakord me të gjithë popullin, jo të na nxjerrë në hënë. Unë edhe armë kam, mos të më vijë të më provokojë tani e tutje.

Do ti bie me rrasa, kujtdo që të vijë dhe të më provokojë, deri në fund nuk e lëshoj. Unë nuk jam as mafie, as nuk jam këtu që të rrej kënd, do ti dal me rrasa kushdo që të jetë. Më ka dhënë dreqi fuqi, jo me më nxjerr jashtë me fëmijë, me mundin dhe me djersën time, më keq ai që është i drejtë.

Të më fusë brenda nëpër shtëpi, si i kemi pasur, duam kontratë të rregullt. Ai të mendojë, a ka nënë vetë“, shprehet për Fax News Marku.