TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prokuroria dhe policia pritet ta dërgojnë jashtë shtetit telefonin e Nuredin Dumanit me qëllim zbardhjen e komunikimeve të tij pasi në celular është gjetur programi “EncroChat” që përdoret për komunikimet e koduara.
Ndërkohë grupi i hetimit është në pritje të analizës së ADN-së së personit të dyshuar për të paktën 7 ngjarje, e cila po ballafaqohet me provat e gjetura në disa ngjarje kriminale.
Deri në këtë fazë hetuesit kanë në duar një profil gjenetik të Dumanit por edhe telefonin e tij i cili po mendohet të dërgohet drejt shteteve të tjera më qëllim zbërthimin e tij dhe përfitimin provave të tjera. Hetimet për zbulimin e autorëve të plagosjes së Nuredin Dumanit po vijojnë dhe krahas tyre edhe për ngjarjet e tjera ku 37-vjeçari është akuzuar nga prokuroria si autor apo bashkëpunëtor.
Pas këqyrjes së telefonit të të riut nga Dibra, hetuesit kanë konstatuar se i dyshuari ka përdorur programin “EncroChat” i cili lejon shkëmbimin e mesazheve të koduara që lexohen vetëm nga dhënësi e marrësi dhe më pas fshihen për disa sekonda. Tri ditë pas arrestimit të Nuredin Dumanit, i cili dyshohet për të paktën shtatë ngjarje të rënda, prokuroria e Elbasanit po shqyrton mundësinë e bashkëpunimit me autoritetet e huaja më qëllim zbërthimin e telefonit të 37-vjeçarit. Programi “EncroChat” përdoret nga persona me rrezikshmëri të lartë shoqërie apo grupe kriminale më qëllim shmangien e përgjimeve dhe gjurmimin nga organet e policisë. Për këtë arsye nga hetuesit po shikojnë mundësinë e dërgimit të telefonit të Dumanit në Belgjikë ose Itali në mënyrë që specialistët e huaj të rigjenerojnë mesazhet e shkëmbyera nga 37-vjeçari me qëllim zbardhjen e aktivitetit të tij kriminal.
Të premten pritet që në spitalin e Traumës të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Nuredin Dumanit i cili ra në pranga në Fier pas atentatit të ndodhur tri ditë më parë në Elbasan ku 37-vjeçari mbeti i plagosur. Për hetuesit ai ende nuk dhënë asnjë detaj për atentatin dhe as për akuzat e ngritura ndaj tij. Hetuesit dyshojnë se Dumani ka pasur njohje të mëparshme me autorët e sulmit dhe se dëshmia e tij do ti ndihmojë në arrestimin e tyre por edhe kapjen e Talo Çelës.