AKTUALITET, 18 Janar 2022, 11:52

VIDEO/ Të shtëna me armë zjarri drejt një makine në Tiranë, detajet e para nga policia

VIDEO/ Të shtëna me armë zjarri drejt një makine në

Një atentat i mbetur në tentativë ka ndodhur mesditën e sotme tek nënkalimi i “Liqenit të thatë” në Tiranë.

Një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri drejt një makine, që drejtohej nga shtetasi Lulëzim Masha, 63-vjeç, administrator i një shkolle private në Tiranë.

Fatmirësisht, si pasojë e të shtënave nuk ka pasur persona të lënduar. Menjëherë pas ngjarjes, autori është larguar.

Policia ka ngritur pika kontrolli në të gjithë zonën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Njoftimi i policisë:

Më datë 18.01.2022, te nënkalimi te Liqeni i Thatë, nga një person ende i paidentifikuar, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit me drejtues shtetasin L. M., 63 vjeç.

Si pasojë e të shtënave, nuk ka persona të lënduar.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës me qëllim kapjen e autorit.

Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe është duke sekuestruar çdo provë të mundshme materiale që do të shërbejë për identifikimin e autorit të ngjarjes.