AKTUALITET, 4 Prill 2025, 22:10

Takimi i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, qeveria shton fondet për Policinë, Gardën dhe Shërbimet Qeveritare

Takimi i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, qeveria shton fondet

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme fonde shtesë për përballimin e shpenzimeve të organizimit të takimit të nivelit të lartë të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë më 16 maj të këtij viti.

Kështu, Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare i janë shtuar fonde në buxhetin e miratuar për vitin 2025.

Ministrisë së Brendshme i shtohet fondi prej 92.8 milionë lekësh i ndarë në dy zëra. Policia e Shtetit merr 44.1 milionë lekë dhe Garda e Republikës 48.6 milionë lekë.

Ndërsa Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare i shtohet fondi prej 360 milionë lekë.

Vendimi i qeverisë përcakton se efekti financiar prej 452.8 milionë lekësh përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2025.

Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.