AKTUALITET, 17 Tetor 2025, 12:51

Tabaku, kritika qeverisë: U krenuan për rritjen e pensioneve. 15 lekë në ditë, nuk mjafton as sa për një kafe në mëngjes

Tabaku, kritika qeverisë: U krenuan për rritjen e pensioneve. 15

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar qeverinë për rritjen e pensioneve, të cilën ajo e cilëson të pavlefshme për përmirësimin e jetesës së pensionistëve shqiptarë.

Me anë të një postimi në Facebook, ajo thekson se 15 lekë në ditë nuk u del pensionistëve as sa per nje kafe ne mengjes.

Tabaku  thekson se gjatë 12 viteve në pushtet, qeveria ka trajtuar pensionistët me mashtrime dhe premtime të pambajtura, ndërsa situata ekonomike për këtë shtresë të popullsisë është përkeqësuar ndjeshëm.

Postimi i plote i Jorida Tabakut: 

Pak ditë më parë, socialistët u krenuan me “rritjen e pensioneve”.

Në fakt, ishte një rritje 15 lekë në ditë — aq sa nuk mjafton as për një kafe në mëngjes.

Në 12 vite pushtet, janë sjellë me pensionistët si me çdo gjë tjetër: me mashtrime dhe premtime boshe.

Çdo vit flasin për rritje, ndërsa realiteti është një — pensionistët janë më të varfër se kurrë.

Sipas Institutit të Vjenës për Studime Ndërkombëtare, pensionet shqiptare sot janë vetëm 8 % e mesatares së BE-së. Pra, flasin për integrimin në BE në 2030, ndërsa pensionistët tanë jetojnë me pensione që s’janë as 1/10 e Europës.

Ndërkohë, çmimet janë rritur me mbi 60 %. Pensionisti shqiptar sot blen më pak ushqim, më pak ilaçe dhe më pak shërbime se një dekadë më parë.

Në një vend ku 1 në 3 qytetarë është mbi 60 vjeç, kjo nuk është thjesht statistikë — është varfëri e institucionalizuar.