AKTUALITET, 17 Tetor 2025, 12:14

Bashkëpunimi/ Forumi i Investimeve Shqipëri-Turqi, Rama: Gati për të ndërtuar “autostradën e biznesit” mes Bosforit dhe Adriatikut

Bashkëpunimi/ Forumi i Investimeve Shqipëri-Turqi, Rama: Gati për

Kryeministri Edi Rama gjatë Forumit të Investimeve Shqipëri–Turqi, e cilësoi marrëdhënien ekonomike mes Tiranës dhe Ankarasë si më të fortë se kurrë.

“Një qeveri që është gati të mirëpresë, ndihmojë dhe garantojë çdo investim që të kthehet në histori suksesi,” deklaroi Rama në hapje të fjalës së tij, duke kujtuar rrugën e përbashkët të nisur një dekadë më parë dhe transformimin që ka ndodhur ndërkohë.

Kryeministri theksoi se objektivi kryesor i palës shqiptare është ridyfishimi i shkëmbimeve tregtare, duke nënvizuar vizionin për ndërtimin e një “autostrade biznesi mes Bosforit dhe Adriatikut.”

Ai vlerësoi marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Turqisë, duke i përshkruar si “ura më të forta se kurrë”, që lidhin jo vetëm dy kryeqytete, por edhe lindjen me perëndimin, përmes projekteve të mëdha si Korridori 8 dhe Porti i ri i Durrësit.

“Kjo urë lidh historinë me të ardhmen, shpresën me mundësinë, reflektimet e së shkuarës me ambicien për të nesërmen,” tha Rama, duke ftuar investitorët turq të shohin nga Shqipëria si një partner të besueshëm dhe një destinacion strategjik për investime afatgjata.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Rama u shpreh: “Le ta shohim të ardhmen si atë që së bashku duhet ta rrokim, ku çdo investim, projekt dhe ëndërr bëhet shkak për një duartrokitje të re për historinë tonë të përbashkët. Rroftë miqësia Shqipëri–Turqi.”

Forumi shënon një tjetër hap në thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, duke synuar krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim, zhvillim dhe investime dypalëshe në sektorë strategjikë.

Edi Rama: Sot Shqipëria dhe Turqia janë ato dy duar që duartrokasin së bashku historinë e një miqësie që nuk njeh kthesa e një partneriteti, që forcohet çdo ditë dhe një horizonti që hapet përpara nesh. Shqipëria nuk është më ishulli i mbyllur, sot është një vend i hapur, ishull i bukur ku mund të shumëfishosh investimin tënd në pak vite. Me taksa të ulëta, me energji të gjelbër me turizëm në rritje dhe teknologji që zhvillohet çdo ditë, e me një treg që pret krahëhapur sipërmarrjen turke.

Ejani të punojmë bashkë për suksesin, ta rrokim atë dhe ta shijojmë së bashku. Shqipëria është sot porta më e afërt e Turqisë drejt BE, është partneri i qëndrueshëm në siguri, turizëm industri. Është partnere strategjike, e një vendi të lidhur në një aleancë strategjike me Turqinë. Shqipëria ka një qeveri që është gati të presë dhe garantojë çdo investim për t’u kthyer në një histori suksesi.

Objektivi është që të ridyfishojmë shkëmbimet tregtare dhe nesër të ndërtojmë një autostradë suksesi midis Bosforit dhe Adriatikut sepse kjo marrëdhënie nuk është vetëm ekonomi është vëllazëri, besim, është bashkëudhëtim drejt të ardhmes. Ura që lidh Stambollin me Tiranën është më e fortë se kurrë. Një urë që bashkon dhe që e bën më të shpejtë dhe më të lehtë lidhjen e lindjes me perëndimin përmes korridorit të 8 dhe portit të ri të Durrësit