TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Rrëqebulli i Ballkanit është dokumentuar sërish në Parkun Kombëtar të Shebenikut. Lajmi bëhet i ditur nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e cila thekson se kjo është një tjetër provë e pranisë së kësaj specieje të rrallë në vendin tonë.
Falë punës në terren të specialistëve të AdZM Elbasan, përmes kamerave kurth, gjurmëve dhe vëzhgimeve të vazhdueshme, është bërë i mundur fotografimi i rrëqebullit, duke konfirmuar se ai vijon të jetojë në habitatin natyror të parkut.
Rrëqebulli i Ballkanit (Lynx lynx balcanicus) është një nga gjitarët më të rrallë në Europë dhe një nga grabitqarët më të mëdhenj në rajon, pas ariut të murrmë dhe ujkut. Një kafshë e rritur peshon zakonisht nga 18 deri në 25 kilogramë dhe mund të jetojë deri në 25 vite.
Kjo specie dallohet lehtësisht nga këmbët e gjata, veshët trekëndorë me tufëza të zeza dhe bishti i shkurtër me majë të errët. Ka një trup të mbuluar me njolla dhe zakonisht lëviz në zona pyjore, larg pranisë së njeriut.
Rrëqebulli ushqehet kryesisht me kaproj, dhí të egra dhe lepuj, por në mungesë të tyre mund të konsumojë edhe zogj apo brejtës. Ai është një kafshë solitare dhe përshkon distanca të mëdha gjatë natës.
Në Shqipëri, zona e Munellës konsiderohet si “shtëpia” kryesore e rrëqebullit, ku jeton një numër shumë i vogël individësh. Prania e tij është konstatuar gjithashtu në lindje të vendit, në Shebenik-Jabllanicë dhe Stravaj, si dhe në veri, në zonën e Nikaj-Mërturit.
Sipas të dhënave më të fundit, në Shqipëri mendohet të ketë jo më shumë se 10 kafshë të rritura ndërsa në Ballkan numri arrin në 50, çka e bën këtë specie jashtëzakonisht të rrezikuar.
Kërcënimet kryesore për rrëqebullin mbeten gjuetia e paligjshme, prerjet e pyjeve dhe mungesa e ushqimit. Ai është një specie e mbrojtur me ligj në Shqipëri dhe përfshihet gjithashtu në konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e faunës së egër.