AKTUALITET, 15 Korrik 2024, 21:13

“SPAK nuk ka zbardhur lidhjet e krimit me politikën”/ Andi Tela: Grupet kriminale kanë rënë dakord me njëri tjetrin, ndaj nuk ka vrasje!

“SPAK nuk ka zbardhur lidhjet e krimit me politikën”/ Andi

Gazetari Andi Tela ka folur për situatën e kriminalitetit në vend dhe ngjarjet më të bujshme gjatë këtij viti. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Tela tha se ka një numër të ulët të vrasjeve, konkretisht vetëm dy të tilla ku është i përfshirë krimi i organizuar, për shkak se grupet kriminale janë dakordësuar me njëri tjetrin, që pas vrasjes së Ervis Martinajt. 

Gazetari tha se SPAK nuk ka hetuar lidhjet e krimit me politikën dhe shtetin. 

“Morëm spunto nga ajo që ka bërë zoti Dumani me gazetarët. Në strukturën e saj Prokuroria e Posaçme, përcaktoi që një herë në muaj do të kishte takim informal me gazetarët. Kemi parë 15-16 gazetarë që rrinë jashtë SPAK. Informacioni vjen ose me komunikime me prokurorët, ose nëpërmjet dosjeve që kalojnë në gjykatë.

Dumani vendosi të kishte një herë në muaj takime me gazetarëve, u bëri të ditur që ky është takim informal. Pas takimit të parë, gazetarët i nxorrën fjalët që u thanë si lajme.

Kur vendos një pakt, që unë jap informacion dhe ky nuk ka nevojë të jetë për publikun. Meqenëse kjo doli në publik, kjo e bëri zotin Dumani të tkurrej. Edhe në një takim të dytë me gazetarët, informacionet që dolën ishin të pavlefshme.

Gazetarët përgjithësisht janë të interesuar për personazhet që lidhen me korrupsionin, pra politikën. Për këta nuk u tha asgjë. Edhe për krimin e organizuar ishin të dhëna që ishin dhënë më parë në parlament.  Për çdo pyetje të gazetarëve ishte me gojën e kycur. Kjo ka të bëjë me transparencën. Gazetarët e prishën paktin dhe tani nuk marrin dot më informacion.

Por, sa i përket krimit të organizuar, duhet të biem dakord, nuk janë vrasjet apo numri i vrasjeve përcaktues, se sa qeveria, policia, prokuroria, a po e luftojnë krimin. Duhet të gjejmë arsyet pse vrasjet e tipit mafioz janë një apo dy. Ka patur 17 vrasje gjithsej, këto të Gentjan Bejtes dhe Gëzim Sinomatit janë të krimit të organizuar. Të tjerat janë për motive të ndryshme. Fakti që janë dy vrasje nuk do të thotë që krimi i organizuar dhe grupet kriminale nuk ekzistojnë. Ekzistojnë, por ata kanë rënë dakord të ndajnë territoret, punët, të mos i hyjnë në pjesë njëri tjetrit. Sa herë përplasen me njëri tjetrin, na përkthehet në vrasje dhe veprime të tilla të bujshme.

Kemi parë grupin e Martinaj që përplasej me grupe të tjera dhe kemi patur vrasje në mes të rrugës.

Nuk duhet ta klasifikojmë këtë si një sukses të qeverisë. Ne dimë bisedat mes tyre, prokuroria i ka marrë nga francezët. Por ne nuk dimë, sepse të gjitha këta personazhe, janë të lidhur me politikën, aktorë në fushatat elektorale.

Janë personazhe, që kanë influencë në administratë, shtet dhe qeveri. Në dimë kur dialogojnë dy vetë për të vrarë një të tretë, por nuk dimë raportet e tyre, SPAK nuk ka zbardhur biseda të tyre me politikanë, me paranë… Nuk është çështja që Noka do të vrasë Bamin, sepse dyshon që i ka vrarë vëllanë. Kjo është hakmarrje. Bisedat e tyre që ne do të influencojmë për të marrë këtë biznes, për të marrë tendera, etj, këto nuk janë të zbardhura. Nëse do të zbardheshin biseda të tilla, do të kuptonim se si funksionon. Ne e perceptojmë, por kur i lexon në një dosje prokurorie, marrin vlerë. Kemi vetëm plane se si do të vrasim kundërshtarin, por se si lidhen me politikanët, autoritetin lokal, janë të dhëna periferike”, tha Tela.