AKTUALITET, 17 Shkurt 2023, 14:44

“Spaho i binte bilbilit më fort kur fliste Tabaku se unë”/ Spiropali: Bllokimi i Kuvendit, pjesë e luftës së brendshme në PD, kanë problemin e 14 majit

“Spaho i binte bilbilit më fort kur fliste Tabaku se unë”/
Elisa Spiropali

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, tha mbrëmë në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se bllokimi i punës së Kuvendit nga deputetët që përkrahin Berishën është një strategji për të sulmuar parlamentarizmin dhe është pjesë e luftës së brendshme si në sallën e kuvendit ashtu edhe jashtë.

Deri më sot, 15 deputetë të opozitës janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit për bllokim të seancave, por zonja Spiropali tha se parlamenti nuk mund të lejojë që ata të bllokojnë miratimin e ligjeve dhe të mos kenë asnjë pasojë.

“Ajo që patë në Kuvend është një strategji e mirëfilltë e opozitës për të sulmuar një nga shtyllat që është parlamentarizmi, për ta delegjimitimuar dhe kjo është pjesë e luftës së brendshme kaq evidente si në sallën e kuvendit ashtu edhe jashtë.

Kur zonja Tabaku fliste në Kuvendin e Shqipërisë, zoti Spaho i binte bilbilit më me forcë se kur flisja unë dhe aty pati edhe konflikt mes tyre. Kjo është pjesë e luftës së brendshme në opozitë për të treguar se kush e ka zërin më të çjerrë, se kush dëgjohet më shumë, se kush bllokon më shumë foltoren e Kuvendit dhe kanë një kënaqësi që nuk e fshehin kur nuk lejojnë deputetët e tjerë të marrin fjalën, tanët po e po, por edhe kur marrin fjalën deputetë të opozitës, sepse nuk duan asnjë lloj rivaliteti këtu. Sepse e kanë ndarë mendjen që “non grata” është prijësi i tyre dhe e kanë ndarë mendjen që ose të jenë badigardë të “non-grata”-s, o ndihmës të tij, ose t’i mbajnë mikrofonin. Por ne nuk mund ta lëmë.

Kryetarja e Kuvendit, Konferenca e Kryetarëve, Komisioni i Etikës nuk mund të lejojë që ata të thonë çfarë t’u vijë ndër mend dhe të mos kenë asnjë pasojë, se nuk ndodh kjo. Nuk mund të lejojë që ata të bllokojnë miratimin e ligjeve dhe të mos kenë asnjë pasojë. Këtë nuk e bëjnë dot as te PD-ja, as ata gratat, as ata “non-grata”-t.

Duhet të respektojnë institucionin e parlamentit, të vijnë aty seriozisht, se ka aty deputetë shumë seriozë që ngrejnë çështje dhe të vijnë e të përballen me ne. Por nëse ata problemin e kanë me 14 maj dhe e nxjerrin me 14 shkurt, ne na vjen keq, por nuk e zgjidhim dot problemin e 14-ës. Ne, për të gjitha çështjet, kemi respektuar rregulloren dhe në asnjë çast nuk do ta shkelim atë, për ta, as për t’i penalizuar, as për t’i ndihmuar, se nuk jemi aty për këtë, por për të respektuar ato rregulla”-u shpreh Spiropali.