AKTUALITET, 18 Maj 2022, 18:42

“Sot Shqipëria është rruga kryesore e heroinës në Europë”- Berisha: Rama flet më me pasion për kanabisin sesa për grurin

“Sot Shqipëria është rruga kryesore e heroinës në

Ish-kryeministri Sali Berisha mbajti këtë të mërkurë një takim me sipmatizantët demokratë në qarkun e Beratit, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet që pritet të mbahen për kreun e PD-së.

Gjatë fjalës së tij ai atakoi qeverinë për rritjen e kriminalitetit. Sipas ish-kryeministrit pas vitit 2013 Shqipëria është kthyer në një nga pikat kyçe të transportit të heroinës në Evropë, me portin e Durrësit të cilin e cilësoi si një nga portet kryesore të kalimit të kokainës drejt BE-së.

Berisha u shpreh se kjo situatë vjen si pasojë e qeverisjes, ku kryeministri flet me më shumë passion për kanabisin se sa për grurin.

“PD ishte katandisur në një forcë politike që nuk mbronte interesat dhe idealet tuaja, por interesat dhe pazaret e ish-kryetarit. Ne kaluam 9 vite të vështira dhe të pamerituara. Të vështira se patëm një qeverisje, në kuptimin më të vërtetë të fjalës më antikombëtare që nga ditët e zeza të diktaturës. Patëm një qeverisje që kalonte nga skandali në skandal, nga rekordi i zi në rekordin e zi. Një qeverisje që e shndërroi Shqipërinë në delen e zezë të rajonit, në një kohë kur Evropa shikonte emigracionin që vinin nga vendet në luftë, herë herë Shqipëria zinte vendin e parë me azilkërkuesit, duke mosqenë në luftë dhe duke patur potenciale të jashtëzakonshme. Nëse para vitit 2013-ën krimi që shkonte drejt Italisë u zvogëlua në atë shkallë saqë Italia hoqi kontrollin e bregdetit me Shqipërinë, ju them unë se ata vetëm në një vit kapën 12 kilogramë kokainë, kurse rruga e heroinës u zhvendos e tëra. Sot Shqipëria është rruga kryesore e heroinës në Evropë, porti i Durrësit është shndërruar në një nga portet më kryesore të kokainës.

Problemi është se kryeministri flet më me pasion për kanabisin se për grurin, ullirin, se për fikun, se për arrat, drurët frutorë, pa le më që lopët dhe blegtorinë nuk i vë më në gojë”, tha Berisha.