AKTUALITET, 19 Gusht 2024, 17:43

Sot protestë për vrasjen e Egli Progës, ja rrugët që do të bllokohen në Tiranë

Sot protestë për vrasjen e Egli Progës, ja rrugët që do

Qytetarët do të protestojnë sot në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për vrasjen e Egli Progës, 42-vjeçari nga Pogradeci i cili u dhunua për vdekje nga Denis Meçe. Policia e Shtetit njofton se ka marrë masa për mbarëvajtjen e protestës dhe do të bllokohen disa rrugë.

“Për shkak të zhvillimit të një tubimi ditën e sotme në orën 19:30, parashikuar për tu zhvilluar nga sheshi “Skënderbej” deri te Kryeministria, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera në varësi të lëvizjes së tubuesve.

Njoftojmë qytetarët se sot, prej orës 19:30 e deri në përfundim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, segmenti i rrugës “Myslym Shyri” nga Gjykata e Lartë deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Policia apelon për të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugët “Ibrahim Rugova” dhe “Papa Gjon Pali” si rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit”, theksohet në njoftimin e Policisë së Shtetit.