AKTUALITET, 20 Shkurt 2022, 13:43

Sot 10 vite nga vrasja në Afganistan e kapitenit Feti Vogli

Sot 10 vite nga vrasja në Afganistan e kapitenit Feti Vogli

Sot ushtarakët shqiptarë kujtojnë ndarjen nga jeta në krye të detyrës të Kapiten Feti Voglit.

Ai u nda nga jeta gjatë një misioni ushtarak më 20 shkurt të vitit 2012 pas një misioni të marrë nga komanda amerikane për të shoqëruar një zyrtare të SHBA në një shkollë e në një spital të Afganistanit.

Por u sulmuan nga një taleban, i cili hapi zjarr me mitroloz në drejtim të Feti Voglit që nuk i mbijetoi plagëve.

Kush ishte Feti Vogli?


Kapiten Feti Vogli, lindur më 23.05.1981, në fshatin Baldushk të rrethit të Tiranës, ishte i martuar dhe nga martesa e tij me zonjën Alva, me një vajzë 2 vjeçe me emrin Egi.

Pas mbarimit të Akademisë Ushtarake në specialitetin Artileri Tokësore, u bë pjesë e Forcave të Armatosura, me detyrë komandant Toge në Brigadën e Stërvitjes të Bazës, Bunavi.

Pas kryerjes me sukses të kursit Bazë të Forcave Speciale më 16 korrik 2005 u bë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale me detyrë Komandant Grupi.

Nga data 1 qershor 2010 kryente detyrën e komandantit të Grupit të Parë Special në kompaninë e Aksioneve Speciale Ujore.

Kapiten Feti Vogli ishte një ushtarak karriere i shkëlqyer dhe si rezultat i arritjeve në detyrë është dekoruar disa herë me medalje të ndryshme si: Medalja e Karrierës në vitin 2007 nga komandanti i Forcës së Bashkuar; Medalja për Shërbime Ndërkombëtare nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2007 dhe Medalje për shërbime të Shquara nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2010.